29 Shtator, 2021 - 1:45 pm
Sot, në konferencën e mundësuar nga ‘Advocacy Training & Resource Center’, që pati për qëllim diskutimin për hulumtimin e bërë mbi gjuhën e urrejtjes në medie në Kosovë, në përgjithësi u diskutua për gjuhën e urrejtjes që përdoret në media dhe se sa ka ndikim ajo te personat që i përcjellin ato lajme, shkruan KultPlus.
Është konsideruar se përdorimi i gjuhës së urrejtjes në media paraqet komunikimin në çfarëdo forme, të bazuar në paragjykime, gjë kjo që mund të nxis qëndrime negative tek individët apo edhe grupet e caktuara të njerëzve të cilët ndikohen nga lajmi i dhënë.
Në këtë konferencë u paraqitën gjithsej dy raporte hulumtuese mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes në mediat e Kosovës, të organizuar nga ‘ATRC’ në partneritet me ‘RADC’, me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.
Diskutimin e hapi drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, i cili në fjalën hyrëse pohoi faktin se përdorimi i gjuhës së urrejtjes është mjaft e shprehur në artikuj të shkruar e sidomos në emisione televizive, ku kjo e fundit shprehet si ‘gjuhë nxitëse’ që ndikon të dëgjuesit apo lexuesit.
“Janë analizuar rreth 2300 artikuj të shkruar në periudhën Janar – Qershor 2019 dhe Janar – Qershor 2020; në periudhën e dytë për raportin e dytë, Korrik – Dhjetor 2019 dhe Korrik Dhjetor 2020. Janë analizuar me kujdes fjalët e përdorura dhe në çfarë konteksti janë përdorur ato”, thotë Kaloshi.
Sipas tij, bëhet një lloj përgjithësimi me komunitete të caktuara, si për komunitetin rom, egjiptian, ashkali, serb, me ç’rast ato lajme vendosen në ‘kronikën e zezë’.
“Publikimi i këtyre lajmeve ka ndikuar te individë të caktuar ku ka pasur gjashtë artikuj që kanë pasur ftesë – thirrje për vrasje, drejtuar komunitetit ‘LGBT’, gjë kjo më e skajshmja që mund të ndodh. Po ashtu, rasti i gruas rome që u rrah në Ferizaj dhe Lipjan, mediat bënë thirrje që nëse e shihni këtë grua, është ajo që po dhunon fëmijët. Disa të rinj morën drejtësinë në dorë, të cilët e sulmuan dy herë këtë grua. Të rinjtë u morën nga Policia e Kosovës, por çfarë ndodhi me mediat të cilat publikuan këto lajme dhe çfarë masash u morën ndaj tyre, nuk dihet”, thotë Kaloshi.
Ndërsa, kryetari i bordit, Xhemajl Rexha foli për rolin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në monitorimin dhe promovimin e një gazetarie sa më profesionale si dhe për parandalimin e përhapjes së ‘gjuhës së urrejtjes’ në mediat e Kosovës.
Rexha është shprehur se po punohet në drejtimin për minimizimin e ‘gjuhës së urrejtjes’ të përdorur nga mediat tona.
“Niveli i komenteve te mediat online është i tmerrshëm, ku u paraqit kërkesa e heqjes së sektorit të komenteve nga mediat online. Komentet vazhdojnë të jenë prezente dhe nw rrjetin social Facebook, ato natyrisht që nuk kontrollohen dhe nuk fshihen nga lajmet. Kemi për qëllim që në të ardhmen t’i trajnojmë gazetarët, në mes të tjerash, për të përdorur termat e nevojshëm, termat e duhur për komunitetet e ndryshme”, thotë Rexha.
Tutje, drejtori ekzekutiv i KMShK-së, Imer Mushkolaj, diskutoi për rolin e Komisionit të Pavarur për Media në parandalimin e ‘gjuhës së urrejtjes’.
“Për fat të keq në Kosovë për momentin nuk shtypet asnjë gazetë. Ne momentalisht jemi duke punuar me një grup të rinjsh të cilët përmes një organizate joqeveritare tash e tre vite, monitorojnë portale të caktuara”, thotë Mushkolaj, duke u bazuar se jemi një nga vendet e vetme ne Evropë që nuk ka gazetë të shkruar.
Gjithashtu, nënkryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Granit Musliu, falënderoi publikisht ‘ATRC-në’, që me punën e bërë ndihmuan mjaft shumë organizatën e tyre.
Më pas, menaxhere e projekteve, Mediana Bislimi, bëri prezantimin e raporteve “Hate O Meter I – II”, të cilat KultPlus ju sjell më poshtë:
Kështu, krejt në fund u zhvillua edhe një diskutim i hapur mes pjesëmarrësve në konferencë. / KultPlus.com