26 Dhjetor, 2020 - 8:24 pm
Ahmet Asllani ishte duke punuar në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Gadimë, afër Lipjanit në Kosovë kur ka hasur gjatë ndërtimit të shtëpisë në një gropë të vogël ku pa pjesë të mermerta.
Ai lajmëroi autoritetet e Lipjanit pa e ditur ende se ajo që kishte zbuluar do të kthehej më pas në një nga destinacionet turistike të Kosovës, pikërisht shpella e Gadimes apo siç njihet ndryshe shpella e Mermertë.
Kjo shpellë është e gjatë 1500 metra, dhe vetëm 1300 prej tyre mund të shihen nga vizitorët pasi nuk ka ende kalime për pjesën tjetër.
Gjatë verës temperatura në brendi të shpellës është konstante 13 gradë celsius dhe gjatë dimrit 11-13 gradë.
Në shpellë shihen edhe dukuri të tjera natyrore siç është liqeni, madhësia e të cilit mund të jetë 15 deri 25 metra. Kristalet të rralla që gjenden në këtë shpellë nuk gjenden në shumë vende prandaj këto kristale kanë vlerë evropiane, nga madhësia e rritjes së kristalit në një cm për 30,000 vjet kjo rrjedh se shpella është e vjetër 80,000 vjet.
Teksa ecën nëpër “rrugët” e saj, të kap syri figura të ndryshme të krijuara natyrshëm nga procesi kimik që njihen me emrat Peshku, Mjekra e Skënderbeut, Gjarpri, Romeo e Zhulieta etj.
Studimet për shpellën e Gadimes kanë nisur që në vitet ’70./ KultPlus.com