Shpend Ahmeti: Qytetarëve të infektuar të Prishtinës t’u jepen nga 50 euro për ilaçe

18 Nëntor, 2020 - 5:49 pm

Kryetari i kryeqyetit, Shpend Ahmeti nëpërmjet një postimi ka propozuar që çdo qytetari të Prishtinës që ka rezultuar pozitiv me coronavirus dhe që është në listat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik t’iu ofrohen 50 euro si ndihmë, shkruan KultPlus.

Ahmeti ka bërë të ditur se këtë propozim së shpejti do ta dërgojnë edhe në Kuvendin Komunal për aprovim.

“Këto ditë do ta dërgojmë propozimin në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës (zyrtarisht në regjistrin civil) që është i konfirmuar me Corona në listat e IKSHP të subvencionohet me 50 (pesëdhjetë) Euro në emër të shpenzimeve shëndetësore, jashta shërbimeve të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor’’, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij.

Tutje, ai ka thënë se pavarësisht që është shumë modeste, shpreson që këtë shembull ta ndjekin edhe komunat tjera nëpërmjet Qeverisë.

 ‘’Shpresojmë që qeveria të shtojë subvencionim të tillë për krejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Për modalitetet e kriteret do të ju njoftojmë me kohë’’, është shprehur Ahmeti.

Ai ka thënë se është dakorduar me partnerët e koalicionit, teksa presin edhe mbështetjen e partive tjera politike të Kuvendit Komunal në Prishtinë. /KultPlus.com

Të ngjajshme