16 Gusht, 2022 - 2:24 pm
Policia e Kosovës ka bërë të ditur sot se është arrestuar një 34 vjeçar, pasi dyshohet se shpërndau fotografi dhe video me përmbajtjeje abuzive seksuale të fëmijëve përmes interneti. Të njëjtit i është sekuestruar telefoni celular, përcjellë KultPlus.
Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes dhe raportim të rasteve të tilla.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore dje më datë 15.08.2022 ka identifikuar të dyshuarin i cili ka poseduar disa fotografi dhe video me përmbajtjeje abuzive seksuale të fëmijëve, pastaj këto materiale i ka shpërndarë te personat e tjerë përmes rrjetit social Facebook dhe aplikacionit Wahtsapp. Me këto veprime dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi” përcaktuar sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.”
I dyshuari mashkull (1988) është arrestuar nga Policia dhe pas intervistimit me aktvendim të Prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore,
Kjo dukuri negative e shfaqur në vendin tonë dhe më gjerë, e cila ka të bëj me materialet me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në internet është tepër shqetësuese. Persona të ndryshëm, kryesisht të moshave të reja, i shpërndajnë këto materiale që përmbajnë video dhe fotografi ku abuzohen seksualisht fëmijët e paidentifikuar. Këto fotografi dhe video i shpërndajnë përmes rrjeteve të ndryshme sociale (Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok etj.). Kjo dukuri është mjaft shqetësuese për vet faktin se kemi të bëjmë me shtresën më të ndjeshme të shoqërisë. Gjithashtu, një gjë e tillë i ri-viktimizon të gjithë ata fëmijë të abuzuar, edhe pse të paidentifikuar.
Një veprim i tillë është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës ku dënimi është nga një (1) vit burg deri në pesëmbëdhjete (15) vite, varësisht nga forma e kryerjes së veprës penale. Kjo nënkupton që veprimet si:
• kushdo që prodhon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët ose përdor apo përfshin fëmijën për krijimin ose për prodhimin e shfaqjeve të gjalla, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet.
• kushdo që shet, shpërndan, promovon, shfaq, transmeton, ofron ose e vë në dispozicion videot apo fotografitë duke u abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.
• kushdo që siguron për vetveten apo personin tjetër ose posedon video apo fotografi duke abuzuar seksualisht fëmijët, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
• Gjithashtu, edhe tentativa për të kryer vepër penale nga ky nen është e dënueshme.
“Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit në vazhdimësi janë duke marrë veprimet e nevojshme për trajtimin e kësaj dukurie. Njëkohësisht, Policia e Kosovës bashkëpunon edhe me mekanizmat relevant ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie mjaft shqetësuese.
Shfrytëzojmë rastin që përmes kësaj komunikate t’u bëjmë thirrje në radhë të parë prindërve që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë materialesh posedojnë në telefonat dhe pajisjet e tjera kompjuterike. Njëkohësisht, ftojmë qytetarët që të raportojnë secilin rast të tillë sepse në këtë mënyrë i mbrojmë fëmijët nga një dukuri e tillë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com