Shqipëri-Austri, simpozium për 110- vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

4 Mars, 2023 - 9:15 pm

Në kuadër të 110-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, Muzeu Historik Kombëtar dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë organizuan simpoziumin me temë: “110 vjet njohje diplomatike dhe miqësi Shqipëri – Austri”.

Simpoziumi u çel me një fjalë përshëndetëse nga: dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe Karl Bauer, Menaxher i projekteve të artit.

Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, mbajti kumtesën “Historik i shkurtër i interesimit Austriak për Shqipërinë”, ku theksoi se “Shqipëria dhe Austria ndajnë një miqësi të hershme. Interesi Austriak në kufirin e veriut të Shqipërisë, e kishte origjinën e vet në kultusprotektorat-protektorati fetar të Perandorëve Habsburg mbi katolikët e veriut të Shqipërisë. Herët që në 1615 me Traktatin e Vjenës, Perandori i Shenjtë Romak fitoi të drejtën të kujdeset për mirëqenien e popullsisë katolike të Perandorisë Otomane. Ndërsa teoritikisht kjo e drejtë nuk ishte e kufizuar vetëm në Veriun e Shqipërisë”.

“Monarkia Dualiste ishte nga shtetet e para që njohur qeverinë e Vlorës dhe mbështeti Shqipërinë në Konferencën e Londrës (16 dhjetor 1912-29 korrik 1913). Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Austrisë u vendosën që më 3 dhjetor 1913, kur Ministria e Punëve të Jashtme e atëhershme e Monarkisë Austro Hungareze vendosi të hapte tre konsullata në Shqipëri: Shkodër, Durrës dhe Vlorë”, tha Koçi.

Në vijim Prof. Dr. Fehari Ramadani nga Universiteti i Tetovës, mbajti kumtesën: “Shqiptarët në politikën e jashtme të Austro-Hungarisë në fund të shekullit XIX”, Prof. Ass. Elena Kocaqi nga Universiteti Aleksandër Moisiu-Durrës, mbajti kumtesën: “Një historik i shkurtër i kontributit austriak në Pavarësinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet me elitën shqiptare gjatë Luftës së Madhe” dhe Prof. Dr. Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut, i cili mbajti kumtesën: “Organizimi i studentëve shqiptarë në Austri”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme