24 Maj, 2021 - 8:57 pm
Shqipëria hodhi sot një tjetër hap të rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore me vendin fqinj, Italinë.
Kështu u shpreh sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se përmes një konference të organizuar nga Ambasada e Italisë në Tiranë, Agjencia ICE, Assorestauro dhe Salloni ndërkombëtar i Restaurimit u prezantua “Salloni i Restaurimit në tour” në Bari dhe “Restoration Week 2021” (Java e Restaurimit 2021), ku Shqipëria mori ftesën zyrtare për pjesëmarrje.
Ministrja Margariti tha se “nuk bëhet fjalë për një pjesëmarrje honorifike, por shkëmbime përvojash dhe vendosje e urave të komunikimit mes kompanive, specialistëve, në fushën e teknikave, materialeve, projekteve të përbashkëta”.
“Së bashku me Fabrizio Bucci ambasadori italian në Tiranë, Michele Emiliano presidenti i Rajonit të Puglia-s, Alessandro Bozzetti presidenti i Assorestauro, Andrea Moretti presidenti i Ferrara Fiere, Alessandro Ambrosi presidenti i Fiera del Levante, Elisa Scelsa drejtoreshë e Zyrës ICE Agjencia – Tirana dhe Andrea Griletto drejtor i Assotestauro diskutuam mbi bashkëpunimet e ardhshme në fushën e trashëgimisë. Italia përbën ekselencën botërore në fushën e konservimit dhe restaurimit dhe ky bashkëpunim do të çojë përpara ambicien tonë për ngritjen e Qendrës së Formimit të vazhdueshëm, shkollave-kantiere, bonusit të rijetëzimit dhe vënien në jetë të Fondit të Trashëgimisë Kulturore”, – theksoi Margariti./atsh/KultPlus.com