19 Nëntor, 2022 - 1:00 pm
Në kuadrin e Bienales së ardhshme Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Ministria e Kulturës, me cilësinë e komisarit të pavijonit Shqiptar, shpall thirrjen për paraqitjen e projektit për pavijonin shqiptar në Bienalen e Arkitekturës që do të jetë e hapur për publikun më 22 maj – 26 nëntor 2023, me temë “The laboratory of the future”.
Tema e kësaj Bienaleje “The laboratory of the future” është përzgjedhur nga Kuratorja e edicionit të 18-të Lesley Lokko, e cila e ka motivuar zgjedhjen e saj me faktin se: “Në Evropë flitet për pakicat dhe diversitetin, por e vërteta është se pakicat perëndimore janë shumica globale, diversiteti është norma jonë”.
“Teknologjitë e reja shfaqen dhe zhduken vazhdimisht duke na dhënë pamje të pafiltruara të jetës në pjesë të globit që ndoshta nuk do t’i vizitojmë kurrë, aq më pak do t’i kuptojmë. Por, të shohësh afër dhe larg në të njëjtën kohë, është gjithashtu, siç e kanë thënë Du Bois dhe Fanon, një formë e “vetëdijes së dyfishtë”, konflikti i brendshëm i të gjitha grupeve tË varura apo të kolonizuara, që përshkruan pjesën më të madhe të botës, jo vetëm “atje” në të ashtuquajturat botë në zhvillim, të treta dhe arabe, por edhe “këtu”, në metropolet dhe peizazhet e veriut global. Ka një vend në këtë planet ku të gjitha këto çështje të drejtësisë, racës, shpresës dhe frikës bashkohen dhe ndërthuren (shkrihen). Afrikë. Antropologjikisht ne jemi të gjithë afrikanë. Dhe ajo që ndodh në Afrikë, na ndodh të gjithëve”, është shprehur kuratorja.
Ministria e Kulturës hap thirrjen për projekt-ide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve.
Ky edicion i Bienale do të kërkojë të konfirmojë ndër të tjera idenë se pikërisht në sajë të veçantisë materiale, hapësinore dhe kulturore të saj, arkitektura frymëzon mënyrat e ndryshme të të jetuarit sot. Në këtë mënyrë pjesëmarrësit e edicionit të 18-të duhet të nxjerrin në pah ato aspekte të temës kryesore që në thelb janë arkitekturë.
Kandidatët duhet të jenë studio arkitekturore apo ekipe multidisiplinare të cilët kanë në përbërje të tyre arkitektë (drejtues i grupit), artistë, graphic designer, kritikë arti, artizanë, sociologë urbanë, planifikues urbanë etj, të dëshmojnë njohuri të mira mbi arkitekturën shqiptare; të kenë përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhit e cila do të dëshmohet përmes portofoleve të punimeve si dhe mund të jenë shqiptarë apo të huaj.
Sipas kritereve të publikuara nga Ministria e Kulturës, kandidati duhet të kryejë studimin dhe të zhvillojë konceptin origjinal të shoqëruar me një rrëfim kuratorial koherent, të hartojë projektin kuratorial të integruar për pavijonin shqiptar në Bienale së bashku me gjithë përmbajtjen e ekspozitës përfshirë këtu fotografi, instalacione, modele dhe material të shkruar për panelet e ekspozitës, të hartojë programin kulturor që do të shoqërojë pavionin shqiptar përgjatë kohëzgjatjes së Bienales si dhe të realizojë kurimin, zbatimin dhe menaxhimin e plotë të projektit .
Ministria e Kulturës inkurajon të gjithë kandidatët të bashkëpunojnë me kuratorë vendas dhe/ose të huaj që kanë përvoja respektive në organizime dhe pjesëmarrje në evente të ngjashme.
Përzgjedhja e kandidatëve do të kalojë në dy faza ndërsa juria do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekt-ideve më të mira, që do të kualifikohen për në fazën e dytë të konkursit, brenda datës 23 dhjetor 2022./atsh/ KultPlus.com