21 Shtator, 2024 - 8:31 pm
Papa Françesku më 21 shtator 2014 vizitoi Tiranën si vendin e parë evropian.
Ati i Shenjtë përqafoi popullin e sprovuar nga diktatura komuniste dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët.
Në 21 shtatori të vitit 2014, Papa Françesku vendosi të shkojë në Shqipëri, në vizitën e tij të parë evropiane që nga fillimi i papnisë.
Papa Bergoglio erdhi në Shqipëri 21 vite pas Papës shenjt Gjon Pali II, i cili, më 25 prill 1993, rivendosi hierarkinë e Kishës katolike të dalë nga vitet e tmerrshme të persekutimit ateisto-komunist.
Fjalët e Papës Françesku ishin krejt të qarta. “Askush – tha Ati i Shenjtë – të mos e mendojë se mund ta përdorë Zotin si mburojë, ndërsa planifikon e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për vepra kundër dinjitetit të njeriut dhe të drejtave të tij”. E, më pas, gjatë takimit me krerët fetarë në Universitetin Katolik, shtoi: “Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh!”. Shqipëria, përsëriti disa herë, “dëshmon se bashkëjetesa është e mundur”.
Papa i nxiti të rinjtë të mësojnë nga shembulli i martirëve. Martirët! Shumë më tepër se 40 të parët, fytyrat e të cilëve mbushnin rrugën kryesore të Tiranës, Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Shqipëria – tha Papa Françesku gjatë meshës në sheshin Nënë Tereza – është tokë martirësh: shumë e kanë paguar me jetë besnikërinë e tyre. Nuk kanë munguar sprova guximi të madh e koherence në dëshminë e fesë”.
10-vjetori i vizitës së Papës Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014 u përkujtua edhe në takimin Mesdhetar “Med24”, i cili u mbajt në Tiranë nga 15 deri më 21 shtator.
Në një klimë entuziazmi rinor dhe bashkimi kishtar, u përkujtua 10 vjetori i vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Në Katedralen e Shën Palit, në Tiranë, ku njëkohësisht po zhvillohet edhe takimi Mesdhetarë, Med.24, Mesha e shenjtë u kremtua nga Kardinali E.T. Kardinali Cristobal Lopez Romero. Kjo Meshë gjeti të bashkuar mbarë hierarkinë kishtare të vendit tonë dhe një numër të madh ipeshkvinjsh nga vende të ndryshme të Detit Mesdhe.
Në përshëndetjen e tij Sh. T. Imzot Arjan Dodaj, kryeipeshkëv i Tiranë Durrësit, e cilësoi si historike dhe të bekuar ditën që Ati Shenjtë Françesku shkeli në tokën arbnore. Porositë e tij janë aktuale edhe sot nënvizoi Imzot Dodaj. Duke shprehur gëzimin e tij personal që dhjetë vite më vonë, Tirana pret një takim si ky i Med.24, ai pohoi se sot, më shumë së asnjëherë nga kjo Katedrale duhet të jehojë lutja por edhe impenjimi për paqe dhe vëllazëri.
Gjithçka mund të realizohet nga një brezni e prekur nga dashuria e Zotit theksoi Imzot Dodaj. Në homelinë e tij, Kardinali Cristobal Lopez Romero, duke folur për pasurinë e jashtëzakonshme të qytetërimeve të pranishme në Mesdhe, evidentoi pasurinë njerëzore që buron prej kësaj pranie. Para të rinjve të pranishëm, ai ofroi Marin si model për tu ndjekur dhe imituar në jetën njerëzore. Ajo është modeli i shërbimit, shpresës dhe mbretërisë së Zotit pohoi ai.
Në këtë dimension, pavarësisht diferencave të prejardhjes apo besimit, angazhimi në këto tre aspekte është e vetmja rrugë për një Mesdhe në paqe dhe një botë pa luftëra. Kështu që secili prej jush duhet të jetë pelegrin, dishepull dhe misionar i paqes, nën shembullin e Maris dritë e popujve, përfundoi Kardinali Cristobal Romero. Në përfundim të Meshës u zhvillua edhe një aktivitet artistko-kulturorë në përkujtim të kësaj dite, ku u shfaqen disa prej elementeve identitarë të kulturës tonë shqiptare.
Gjatë vizitë së tij, Papa Françesku u takua me krerët më të lartë të vendit./atsh/ KultPlus.com