23 Mars, 2024 - 7:24 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në një takim zyrtarë të Ministrisë së Kulturës të Italisë, me të cilët diskutoi për rritjen e bashkëpunimit kulturor.
“Kënaqësi të mirëprisnim dy përfaqësues shumë të rëndësishëm nga Ministria e Kulturës së Republikës së Italisë, drejtorin e përgjithshëm të Muzeve Kombëtarë, Massimo Osanna, si dhe atë të Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit, Luigi La Rocca”, u shpreh Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Gonxhja e cilësoi një takim mjaft interesant, që solli ide të reja në fushën e bashkëpunimit ndërkulturor mes dy vendeve për promovimin e kulturës italiane dhe lidhjen e saj me Shqipërinë nga antikiteti deri në ditët e sotme.
“Historia e artit, kulturës, bashkëjetesës, arbëreshëve, rrënjët e kërkimet arkeologjike, afërsia dhe raportet politike e sociale mes dy vendeve, na vendosin përpara disa sfidave të bukura për të cilat po punojmë për të sjellë risi në këndvështrimin e një bashkëpunimi mes dy vendeve tona, që do t’i ofrojnë publikut shqiptar projekte të reja shumë interesante, së shpejti”, tha ai.