Shqipëria drejt ndryshimit të madh, do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike

19 Maj, 2022 - 11:20 am

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë thirrje që qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit të madh mjedisor e kulturor, që nis prej 1 qershorit, e që ka të bëjë me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.

Në një postim në Facebook, Rama ka shpërndarë një video për ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mbrojtur mjedisin.

Qeset plastike njëpërdorimshe do të ndalohen në Shqipëri prej 1 qershorit 2022.

Çdo vit, në Shqipëri përdoren rreth 3.2 miliardë qese plastike apo njëzet e gjashtë mijë tonë në vit përafërsisht. Në anën tjetër, amerikanët përdorin 100 miliardë qese plastike në vit, të cilat kërkojnë 12 milionë fuçi naftë për t’u prodhuar.

Mbetjet e qeseve plastike përfundojnë në ushqimin që njerëzit hanë dhe ajrin që thithet çdo ditë.

Për një kohë të gjatë është menduar që qeset plastike të mos përdoren fare dhe të zëvendësohen me mbajtëse të cilat mund të reciklohen, në mënyrë që përveç njerëzve edhe toka të “frymojë” lirshëm.

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që nga data 1 qershor 2022, prodhimi, importi dhe përdorimi i qeseve plastike njëpërdorimshe të ndalohet me ligj.

Në Kuvend është miratuar projektligji që parashikon edhe gjoba deri në 1,5 milionë lekë për importuesit, prodhuesit dhe tregtuesit e qeseve plastike. /KultPlus.com

Të ngjajshme