Shqipëria e para në grup drejt Gjermanisë, Rama: Arritje historike e Kombëtares (VIDEO)

21 Nëntor, 2023 - 9:03 am

Kombëtarja regjistroi një tjetër arritje historike mbrëmjen e djeshme duke e mbyllur në vendin e parë në Grupin E me 15 pikë pas përballjes me Ishujt Faroe në stadiumin “Air Albania”.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga atmosfera në stadium.
“Shije e jashtëzakonshme e arritjes historike të Kombëtares, si edhe me bindjen se kjo skuadër e re do të na bëjë surpriza të tjera të bukura”, shprehet Rama.

Në një Air Albania të mbushur në kapacitet maksimal, trajneri Sylvinho e nisi me këtë formacion titullar: Strakosha (GK), Balliu, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj, Asllani, Bare, Bajrami, Uzuni, Asani, Daku.

Shqipëria dominoi takimin gjatë gjithë ndeshjes. Rasti i parë i rrezikshëm ishte me Nedim Bajramin, i cili provoi me një goditje të fortë por u ndal nga portieri kundërshtar, ndërsa rasti më i pastër u regjistrua në minutën e 45+7 me Dakun, i cili nuk arriti të shënonte i vetëm përballë portierin. Edhe në fraksionin e dytë kuqezinjtë shpërdoruan disa raste të mira, ndërsa trajneri Silvinjo aktivizoi në pjesën e dytë edhe Muçollin, Laçin, Cikalleshi dhe Muçin.

Në fund gjithçka përfundoi 0-0 dhe Shqipëria përmbyll një edicion fantastik dhe historik, me sigurimin e finaleve të Europianit “Gjermani 2024”.

Rrugëtimi i Shqipërisë në këtë edicion kualifikues mbyllet me 1 humbje, dy barazime dhe katër fitore./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme