26 Dhjetor, 2022 - 10:00 pm
Deri më tani gjeografët tanë nuk e kanë njohur një përshkrim të gjeografisë së Shqipërisë, të shoqëruar edhe me hartën përkatëse, të përgatitur prej kontit Fedor Karaxhaji dhe të botuar më 1842 në Londër nga revista shkencore e Shoqatës Gjeografike Mbretërore. Është marrë nga dorëshkrimi i tij dhe përkthyer anglisht prej T. Wittick-ut. Në Shoqatën Gjeografike ruhen dorëshkrimet e Kontit të përmbledhura si një Përkujtesë: për a) Provincën e Kotorrit; b) Malin e Zi dhe c) Shqipërinë nën Turqinë.
Kush ishte Karaxhaji
Fedor Karaxhaji ishte hungarez. Kishte lindur më 3 tetor 1787 dhe ishte me prejardhje nga Vali-Shaka Moldava. Fedori i ri hyri në fillim në Akademinë ushtarake të Vjenës, më 1805 kaloi si kadet i husarëve dhe më 1813 arriti gradën major i kalorësisë së lehtë. Pas thyerjes së Napoleonit ishin nën sundimin e Austrisë mjaft vise të tjera dhe prandaj Fedori pati mundësinë të vizitonte disa prej tyre. Duke u nisur nga interesat ushtarake, ai i kushtonte vëmendje përshkrimit gjeografik të vendeve. Kështu më 1818 botoi një libër për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën. Libri i tij me karakter ushtarak, që është ribotuar disa herë më pas, ishte një Manual për nënoficerët e kalorësisë (1823). Edhe pjesa veriore e Italisë ishte nën sundimin austriak. Në Vjetarin e Mbretërisë Lombarde për vitin 1825, botuar në Milano, ai shënohet si shambelan i shtëpisë së princit Maksimilian, kalorës i Urdhrit II, major i regjimentit të kalorësisë.
Pas një udhëtimi në jug të Italisë, botoi librin Udhërrëfyes për Sicilinë (1826), të cilin e kanë shfrytëzuar autorë të tjerë; është cituar në veçanti te Gjeografia universale e C. Malte-Brunit (1755-1826) të vitit 1829, botuesit të veprës së arbëreshit Engjëll Mashi. Rrugën tjetër e bëri në Lindje dhe më 1834 botoi Rrëfime nga Orienti. Në Londër ishte më 1830 dhe për këtë botoi më 1835 Londra dhe rrethinat e saj. Ishte një udhërrëfyes i një natyre tjetër, siç e vinte vetë në dukje në parathënie; paraqiti deri drekën angleze dhe shërbëtorët e shtëpive, madje edhe Parlamentin anglez. Kur u botuan shënimet për Shqipërinë, më 1842, ai tashmë ishte kolonel në shërbimin austriak, ndërsa më vonë komandant në Mantovë. Në Teheran të Persisë ishte themeluar më 1851 një Kolegj Politeknik. Kur vdiq pedagogu i xhenios Zati më 1852, në vendin e tij erdhi Karaxhaji si instruktor. Aty ai u ngrit deri në gradën e gjeneralit dhe u bë shef i Shtabit të Përgjithshëm. Vdiq më 2 korrik 1859.
Interesimi për Shqipërinë
Përshkrimet gjeografike për viset nën sundimin osman janë të hershme. Me interes për trevat shqiptare janë Rumelia dhe Bosnja nga Haxhi Kalifa ose Qatip Çelebiu, nxjerrë nga vepra e tij e papërfunduar Cihan-nüma (1648-1657). Ndoshta këtë e ka njohur Karaxhaji, sepse përkthimi e botimi i asaj pjese gjermanisht është bërë më 1812 në Vjenë. Udhëpërshkruesi tjetër i njohur ka qenë Evlija Çelebiu, i cili i ka vizituar trevat shqiptare tri herë (1660, 1662, 1670) dhe i ka përshkruar në veprën e vet të gjerë Seyahatname, por nuk besoj se Karaxhaji e ka njohur. Prandaj mendoj se ky duhet renditur pas U. Martin-Likut (me një vepër pioniere për Shqipërinë më 1814, duke gjurmuar lashtësinë e saj deri tek ilirët dhe me një gramatikë e fjalor të shqipes), pas Ami Buesë (me veprën për Turqinë Europiane, 1840, ku jep edhe ndarjen fisnore të shqiptarëve) dhe August Grizebahut (botanistit gjerman, që udhëtoi nga Prizreni deri në Shkodër më 1839 dhe i botoi shënimet e veta më 1841). Veçantia e botimit anglisht të Karaxhajit është se shumica dërrmuese e autorëve anglezë, që në një mënyrë ose tjetër kanë shkruar për Shqipërinë deri në mesin e shek. XIX, kanë folur për Shqipërinë e Jugut ose për qendrat e bregdetit shqiptar, ndërsa Karaxhaji është përqendruar te pjesa nga Vjosa e lart.
Për ta rrokur lëndën e këtyre shënimeve të botuara më shumë se 170 vjet më parë, lexuesit i duhet të zhvendoset nga përfytyrimi që ka sot për Shqipërinë natyrore dhe politike. Viset tona ishin pjesë e Perandorisë Osmane, sundimi i së cilës kishte hyrë në rrugën e dobësimit mbi viset e Ballkanit. Në jugun tonë sapo ishte krijuar një shtet i vogël i Greqisë, por ndërkaq sapo ishin shembur edhe dy pashallëqet e mëdha shqiptare. Fuqia e madhe e kohës, që ishte e interesuar më drejtpërdrejt për zhvillimet në këtë zonë ishte Austria, e cila përfshinte Hungarinë dhe arrinte deri në Kotorr. Synimet e saj shkonin larg në jug dhe ishin synime perandorake, madje edhe pas disfatës prej Prusisë më 1866, ajo e quajti veten Perandoria Austro-Hungareze. Konti Karaxhaji ishte fisnik dhe ushtarak i lartë pikërisht i kësaj Austrie. Horizonti i tij ishte perandorak dhe me këtë ndriçohet vështrimi i tij i gjerë për shumë vende, edhe për ato që nuk i kishte shkelur, siç ishte rasti i vendit tonë.
Cila ishte Albania sipas Karaxhajit?
Është një pyetje që lind vetvetiu, sepse ai asnjëherë nuk e ka përmendur emërtimin Shqipëria. Veç kësaj, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet Shqipërisë, siç e njohim ne sot, dhe Albanisë së këtij hungarezi. Arsyeja e parë është se në shek. XIX trevat shqiptare vijonin të ishin nën sundimin e gjatë osman, të copëtuara në vilajete e sanxhaqe qëllimisht për të mos u ngulitur një tërësi shqiptare. Ndërkaq, ka edhe një arsye tjetër historike më të lashtë. Në vend të shpjegimeve të gjata, që nuk e kanë vendin për këtë rast, po shënoj nja dy të dhëna. Në prill të vitit 1461 sulltan Mehmeti i ka dërguar një letër Gjergj Kastriotit, duke e quajtur “Skënderbeu, princi i Arnautllukut dhe Epirit.” Emri i vendit tonë si Shqipëria nuk kishte lindur ende atëherë. Pothuaj dy shekuj më vonë, më 1635 Frang Bardhi botoi Fjalorin e tij të njohur, që titullin e ka latinisht: Dictionarium latino-epiroticum, domethënë mbiemri ‘epirot’ këtu ka kuptimin e përgjithshëm ‘shqip’, sepse edhe emri i gjuhës sonë ende atëherë nuk kishte hyrë në përdorim, ajo vijoi të quhej gjuha arbëreshe deri në fund të shek. XVII. Robert Pinkertoni, ai që nënshkroi më 1819 marrëveshjen me Vangjel Meksin për përkthimin e Dhiatës së re shqip, shkruante më 28 gusht 1816 për shqiptarët: “Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikut të lashtë dhe të Epirit.” Do të pranojmë, rrjedhimisht, se emërtimet Albania dhe Epiri në historinë shumëshekullore ose ndërthureshin, ose shiheshin si dy entitete të veçanta, por nuk përputhen me nocionin tonë të sotëm për Shqipërinë.
Edhe për Kontin Karaxhaji Albania ishte një entitet tjetër kundrejt Epirit. Për këtë arsye, ndonëse në titull unë kam përdorur fjalën ‘Shqipëria” për lexuesin e sotëm, brenda tekstit të përkthyer kam lënë fjalën Albania, që lexuesi të mos pështjellohet ose të habitet. Pak vjet më vonë pas tij një autor dhe udhëtar anglez, Henry Tozer në ‘Kërkime në Malësitë e Turqisë’, 1869, është shprehur pa mëdyshje, se në të dy anët e Shkumbinit jeton e njëjta racë.
Vetë autori mes të tjerash shkruan: Përpara kryengritjes së Ali Pashës të Janinës, krahinat jugore të Albanisë ishin të bashkuara me veziratin e Epirit ose Toskëria, kurse pjesa që mbetet përbënte veziratin ose ejaletin e Shkodrës. Pas disa ndryshimesh më të vogla, më 1837 ky vezirat u prish dhe vendi u vu drejtpërdrejt nën vezirin e Rumelisë, por më 1838 u rivendos, ndonëse disa pjesë u shkëputën prej tij. Kjo do të thotë se Karaxhaji pranon dy gjëra: e para, se dikur Albania ishte ajo që ne e quajmë sot Shqipëria dhe përbëhej prej dy veziratesh, të Shkodrës dhe të Epirit, por u ndanë në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pas vdekjes së këtij, ndodhën një varg ndryshimesh gjithnjë sipas synimit osman për të mos u ruajtur një tërësi shqiptare. Së dyti, autori e njëjtëson Epirin me Toskërinë. Përfundimisht, Karaxhaji na ka dhënë gjeografinë e Albanisë pas prishjes së pashallëkut të Janinës, ka zgjedhur të përshkruajë atë pjesë veriore e qendrore të Shqipërisë, për të cilën kishte mbledhur njoftime. Edhe kur kishte botuar librin për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën, ai nuk mund të qortohet se kishte gabuar kundrejt shteteve të sotme, në të cilat bëjnë pjesë këto njësi gjeografike.
Këtu tashti shtrohet një pyetje tjetër thelbësore: nga i ka marrë të dhënat Konti Karaxhaji për përshkrimin dhe hartën e tij? Është shprehur qartë për këtë nënkonti Percy Strangfordi më 1865: “Krahinat e brendshme dhe malore të Shqipërisë Veriore janë një trevë e panjohur për turistët anglezë dhe pothuaj nuk janë vizituar nga eksplorues dhe udhëtarë të vërtetë. E vetmja paraqitje e njohur për mua, e cila përmban diçka të plotë për hollësitë gjeografike, është një ndihmesë e kontit austriak Karaxhaji, botuar në “Proceedings of the Royal Geographical Society”. Megjithatë ajo është mbështetur jo te një udhëtim vetjak, por te informacioni i dhënë nga kleri katolik i vendit, shumica prej të cilëve, dalmatë ose italianë, janë shtetas austriakë.” Del e qartë se Karaxhaji është interesuar për viset tona, ndërsa lëndën për to e ka mbledhur nga goja e të tjerëve. U është drejtuar klerikëve katolikë jo shqiptarë dhe me këtë shpjegohen pasaktësitë e tekstit të tij, ndonëse duket që informuesit e tij, për shkak të detyrës priftërore, i kanë shkelur ato vise, porse sa më në jug shtrihej njohja e tyre, aq më e paplotë bëhej. Njëkohësisht kuptohet përse vazhdimisht në tekst ka të dhëna për përbërjen fetare të popullsisë në ato treva.
Hapësirat shqiptare sipas Karaxhajit
Shtrirja e Albanisë sipas koordinatave gjeografike, për Karaxhajin në Lindje shkon në një vijë, e cila është një gradë dhe 10 minuta (10 10’) më e ngushtë se e ashtuquajtura Shqipëria Etnike. Për Karaxhajin Albania në Lindje shkon deri te Rumelia ose një pjesë e Maqedonisë së lashtë, domethënë nuk përmend ndonjë Maqedoni bashkëkohëse. Në jug-lindje kufiri i Albanisë hyn thellë, duke përfshirë Konicën dhe deri afër Mecovës, ndërsa poshtë në jug hyn sërish thellë, duke lënë jashtë majtas Delvinën dhe djathtas Janinën. Ndonëse është lënë jashtë bregdeti i Epirit, ai e quan se vija bregdetare e Albanisë është 240 milje, të cilat bëjnë rreth 380 km, domethënë më tepër se vija tërësore e sotme (!).
Në Veri, për Karaxhajin, Albania kufizohej me Bosnjën dhe Serbinë, domethënë nuk përmendej veçan Mali i Zi. Në tekst shprehet se një pjesë e Albanisë Veriore është nën sundimin e Austrisë, domethënë Gjiri i Kotorrit dhe Budva. Në Jug Albania kufizohet me Epirin dhe me shifra 400 25’ (Shqipëria e sotme shkon deri në Konispol, 390 38’ të gjerësisë jugore).
Gjeografia dhe të dhëna të tjera
Harta e Albanisë është botuar së bashku me tekstin përshkrues, si edhe veçan, në të dy rastet për Shoqatën Gjeografike Mbretërore. Botuesi ka qenë J. Murray, ndërsa me punën hartografike është marrë John Arrowsmith (1790-1873), hartografi më i njohur anglez i asaj kohe. Me këtë kuptohet përse është një paraqitje aq e hollësishme dhe me cilësi, pavarësisht prej konceptimit të saj, që natyrisht i përket F. Karaxhajit dhe jo J. Arrowsmith-it. Shkalla është 1:1.200.000, 13,5 x 9 inç. Kjo hartë është e mbushur me emërtimet përkatëse në mënyrë kaq të hollësishme, sa mund të krahasohet me hartat ushtarake të sotme.
Një pyetje e mëtejshme, është se cila ka qenë harta e përgjithshme e kësaj pjese të Ballkanit perëndimor, mbi të cilën janë hedhur të dhënat për Albaninë. Besoj se Arrowsmithi i ka hedhur të dhënat e Karaxhajit në një prej hartave të veta anglisht, që i kishte të gatshme.
Harta e botuar veçan dhe bashkë me tekstin e punimit ka edhe një legjendë anglisht. Nuk ka përputhje të plotë ndërmjet tekstit dhe hartës. Karaxhaji e kishte të mangët njohjen për ndarjen politike të vendit dhe do ta besojmë se legjendën për hartën e ka përpiluar Arrowsmithi me njohuritë e veta.
Si në çdo punim gjeografik, natyrisht që pjesën kryesore do ta zinin paraqitja e maleve bashkë me përbërjen e tyre gjeologjike dhe ndonjëherë të mineraleve, majat e kullotat e tyre, si dhe sa janë të pyllëzuar e me çfarë llojesh të drurëve; më tej fushat dhe shkalla e pjellorisë së tyre dhe bimët bujqësore kryesore; liqenet e kënetat me peshqit e shpendët e tyre, vijat ujëndarëse, lumenjtë që nga burimi e deri te grykëderdhja, bashkë me natyrën e brigjeve të tyre dhe të luginave që formojnë, si dhe me të dhëna për mundësitë e lundrimit nëpër ta; grykat e njohura krahas mundësive që japin për t’u mbrojtur nga një armik sulmues; klima; kulturat bujqësore dhe bimësia natyrore, pemët frutore dhe prodhimet kryesore të bujqësisë e të blegtorisë (dhentë e dhitë janë të shumta nëpër gjithë viset malore të Albanisë), kafshët e egra, produktet e ndryshme për tregti dhe në veçanti zejtaria për armët e zjarrit. Me kujdes të veçantë janë treguar tiparet e bregdetit me gjiret, limanet, thellësinë e ujit, erërat detare dhe mundësitë e ankorimit, deri edhe piakt e doganave dhe magazinat e mallrave. Pjesa e fundit është një përpjekje për të dhënë rrugët ose më mirë vijat e komunikimit ndërmjet krahinave e qendrave kryesore të banimit e të tregtisë dhe për qëllime ushtarake. Përgjithësisht thuhet se nëpër vend gjatë muajve të thatë mund të kalojë një ushtri, por jo e ngarkuar me artileri të rëndë.
Nga moria e të dhënave të ndryshme të këtij punimi do të nxirrja në dukje fare pak të dhëna demografike, ndonjë njoftim historik dhe sidomos veçoritë etnografike. Besoj se ato do të ngjallnin kureshtjen e cilitdo lexues, i cili ndërkaq ka edhe njohuri për gjendjen e sotme.
Shqiptarët e bregdetit nga Tivari në Ulqin Konti Karaxhaji i quan detarët më të mirë të Mesdheut. Qyteti i Tivarit duhet të ketë mbi 2500 veta. Banorët e krahinës janë të krishterë dhe myslimanët banojnë kryesisht në qytet. Prodhohen deri 5000 fuçi me vaj ulliri për eksport. Për Fushën e Plavës njofton se përfshin 23 fshatra me popullsi 6-7000 veta të besimit katolik, që nuk u paguajnë haraç turqve.
Shkodra si pashallëk arrin deri te 100.000 banorë, gjysma e të cilëve janë katolikë. Qyteti ka 40.000 frymë dhe përbëhet nga kështjella, lagjja Tabakët e myslimanëve dhe Terzia e katolikëve. Tregtarët janë të pasur dhe eksportojnë prodhime deri në Trieste, Venecie e Vlorë. Fushën e Shkodrës e vlerëson si tokën më pjellore në Albani. Matjanët janë në gjendje të përhershme kryengritjeje. Katër fise (Kelmendi, Hoti, Shala e Shoshi) quhen së bashku Malësorët ose banorët e Katër Maleve; “ata janë luftarakë dhe jashtëzakonisht të aftë në përdorimin e armëve”.
Sipas Karaxhajit, brenda në kështjellën e Leshit është një xhami, aty ku ishte më parë kisha Shën Mëri Nikolla i Barit. Dhe: “Në këtë kishë është varrosur i famshmi Gjergj Kastrioti, që njihet më mirë me emrin Skënderbeu.”
Prizreni ka 15-20.000 banorë, ka punishte të mëdha armësh dhe pushkët e pisqollat janë shumë të vlerësuara. Për sanxhakun e Elbasanit përmenden pesë qytete. Ndwr to Kavaja ka 9 deri 10.000 banorë, domethënë njësoj me Durrësin, ndërsa këtu prodhohet një djathë i mirë, i cili eksportohet deri në vise të largëta të Perandorisë Turke. Për Tiranën jep shifrën 10.000 banorë dhe është pranë lumit Jakon, që do të ishte emri i Lanës së sotme.
Nëpër sanxhakun e Ohrit kalonte Rruga Egnatia, e cila edhe në atë periudhë përdorej për trupat osmane që vinin nga Stambolli deri në Shqipëri. Interesante është se thotë që aty pranë ka miniera argjendi e squfuri, por që nuk shfrytëzohen. Kruja ka mbi 15.000 banorë dhe Konti nuk lë pa vënë në dukje se ka qenë selia e Skënderbeut, ndonëse gabon duke e quajtur këtë qytetin e tij të lindjes.
Për sanxhakun e Vlorës vihet në pah se nga pyjet e pishës merret lëndë ndërtimi e shkëlqyer, ndërsa ka puse nafte në disa vende; nafta mblidhet dhe eksportohet. Më duket se ky është njoftimi i parë për eksportin e naftës nga vendi ynë. Gjirokastra ka mbetur vetëm me 4000 banorë, sepse popullsia është pakësuar shumë prej murtajës më 1814.
Vlerësimi më i drejtë i punës së Kontit Karaxhaji, pa dyshim do të bëhej duke e krahasuar me paraqitjet bashkëkohëse të po kësaj natyre, sepse gjatë rrjedhës historike shumë gjëra kanë ndryshuar. Ky është një lëmë i mirëfilltë pune për gjeografët tanë, prandaj mua do të më lejohet të sjell vetëm një rast. Në vitin 1848 është botuar po në Londër një përmbledhje e gjerë, e cila është rishtypur me plotësime edhe më 1860. Aty shkruhet se Shqipëria (Albania): “është një vend i cili nga pikëpamja e pozitës dhe e shtrirjes përputhet me Epirin e lashtë dhe me Ilirikun.” Kemi kështu një përkim të plotë me vështrimin e Karaxhajit për Albaninë dhe Epirin. Popullsia e shqiptarëve vlerësohet rreth dy milionë.
Një hartë tjetër anglisht, e përgatitur nga Xhon Rapkini dhe ilustruar H. Uorreni; bënte pjesë në Atlasin e ilustruar dhe historinë e kohëve të reja të Xhon Talisit, Londër 1851. Këtë radhë Shqipëria me emrin Albania nis nga Tivari dhe shkon poshtë deri në Prevezë, ndërsa djathtas kufizohet me Maqedoninë Turke, në jug të saj me Thesalinë Turke dhe poshtë tyre vjen Greqia. Në cepin e djathtë lart të hartës është një pikturë e Ali Pashës gjysmë i shtrirë, me një shërbëtor në gjunjë poshtë minderit, duke i shërbyer çaj. Mund të jetë një pikturë e panjohur për Ali Pashën. Paraqitja e pashait është mjaft e ndryshme nga piktura e Lui Dypresë, që e jep në varkë në liqenin e Butrintit (1819).
Përveç danezit Malte-Brun, te punimet e Karaxhajit është mbështetur edhe Hajnrih Kiperti (1819-1899) për hartat e vitit 1847, botuar në Vajmar nga Instituti Gjeografik. Vënia në dukje e lidhjeve të tilla ka interes për të treguar se vepra e Karaxhajit nuk ka mbetur e panjohur, e sidomos për të vërtetuar që ajo ka luajtur rolin e vet në opinionet e diplomatëve britanikë, të cilët pak nga pak po i afroheshin çështjes shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që kishte hyrë në fazën e shpërbërjes, opinione të cilat patën ndikimin e tyre në Kongresin e Berlinit më 1878 e deri përfundimisht në Konferencës e Londrës më 1913. Në fund të fundit, çdo koncept politik për një shtet dhe vetë kufijtë e tij, që përcaktohen e ripërcaktohen gjithmonë pas luftërash, gjejnë pasqyrim konkret në një hartë dhe në përshkrimin gjeografik brenda vijave të saj. Nga ky këndvështrim rrjedh rëndësia e punës së Kontit Karaxhaji jo thjesht nga ana gjeografike dhe etnografike, por edhe për historinë politike të shtetit tonë.
Nga Xhevat Lloshi/ KultPlus.com