5 Tetor, 2023 - 9:22 pm
“Shqipëria është Biodiversitet” është një nismë e përbashkët e Fondacionit “Heinrich Böll Stiftung” dhe organizatës PPNEA, që synon mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve natyrore në Shqipëri, duke zbuluar një element kyç, imazhin e rikonceptuar të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ftoi sot qytetarët që të vizitojnë këtë mozaik unik në sheshin “Skënderbej”, kushtuar biodiversitetit dhe natyrës.
Kumbaro theksoi se kjo është një formë shumë atraktive për të komunikuar me publikun dhe për të ngritur një ndërgjegjësim mbi botën e gjallë, përpjekje që duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, institucionet dhe shoqëria civile.
“Edhe moratoriumi i gjuetisë, edhe rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura kanë sjellë një qetësim të dukshëm në habitate dhe Shqipëria në të gjitha eventet ndërkombëtare shihet si një model i vogël, por shumë i mirë i zhvillimit të qëndrueshëm, ku miliona vizitorë shijojnë parqet natyrore dhe ato kombëtare, në një ekulibër mes nevojës për zhvillim të atyre zonave dhe mbrojtjes së pasurisë natyrore”, shtoi ajo.
Vepra artistike është krijuar me qëllimin për të nxitur kureshtjen dhe reflektimin e publikut mbi biodiversitetin e çmuar të vendit.
Kjo fushatë është një nismë e përbashkët mes PPNEA dhe “Heinrich Böll Stiftung Tirana”, e mbështetur edhe nga Ambasada zviceriane, Delegacioni Evropian në Shqipëri, Ambasada gjermane, Ambasada franceze, Agjencia Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim./atsh/KultPlus.com