Shqipëria feston sot 79-vjetorin e Çlirimit, Rama uron qytetarët

29 Nëntor, 2023 - 9:19 am

Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, 79-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë për festën e madhe të Çlirimit.

Në përkujtim të kësaj dite, pritet që krerët e shtetit të kryejnë homazhe në Varrezat e Kombit në nder të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe disa aktivitete të tjera, ku në sheshin “Skënderbej”, do të mbahet sonte koncert festiv ose siç njihet ndryshe Nata e Bardhë.

Këtë datë politika e feston e ndarë. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Prej 7 prillit 1939, Shqipëria gjendej nën vargonjtë e pushtimit fashist. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtë të vitit 1943, vendi pushtohet nga forcat gjermane.

Në dalje të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, u çliruan edhe një pjesë e konsiderueshme e qyteteve në veri. Çlirimi i Shkodrës shënoi edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme