16 Janar, 2025 - 6:30 pm
Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së dhëndërit të Donald Trumpit, Jared Kushner, për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit, që aktualisht është bazë ushtarake.
Komiteti për Investime Strategjike, që udhëhiqet nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, më 30 dhjetor ka pranuar propozimin e kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, për projektin prej 45 hektarësh në ishullin e Sazanit. Projekti parasheh një investim prej 1.4 miliard eurosh.
Në vendimin e shkruar, që u bë publik më 15 janar, Komiteti tha se projekti ishte në përputhje me ligjet për investime strategjike dhe përmbushi numrin e të vendeve të punës, që kërkohet me ligj, duke thënë se në të vlerësohet se do të punësohen 1.000 persona.
Sipas ligjit, dhënia e statusit të investitorit strategjik lejon kompaninë që të zbatojë projektin që vlerësohet strategjik në një sektor të ekonomisë, siç është turizmi.
Po ashtu, ky status do të bëjë që projekti “të përfitojë nga procedurat e përshpejtuara dhe përfitime të tjera”.
“Forma e pjesëmarrjes së shtetit në këtë investim do të realizohet përmes krijimit të një entiteti të përbashkët ligjor”, tha Komiteti, duke shtuar se në projekt do të përfshihet Korporata shtetërore e Investimeve Shqiptare.
Plani i Kushnerit për Sazanin
Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri.
Kushner kishte deklaruara se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët.
Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun.
Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.
Në të kaluarën, sa i përket Zvërnecit, Qeveria shqiptare kishte thënë se zyrtarisht nuk ka pranuar ndonjë shprehje interesi lidhur me këtë investim.
Planet e Kushnerit ishin përballur me kundërshtime në Shqipëri, sidomos nga ambientalistët që kishin thënë se mund të shkaktohen dëme në zonat e mbrojtura bregdetare.
Në mars të vitit të kaluar, ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi ishullin e Sazanit.
Ky ishull për dekada të tëra ishte i mistershëm. Në të dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake, para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.
Tani, herë pas here, ky ishull në Vlorë përdoret nga ushtria e Shqipërisë dhe NATO-ja.
Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometrash katrorë. Aty ende nuk ka energji elektrike, e as ujë të pijshëm. Megjithatë, aty ka shumë bunkerë, numri i saktë i të cilëve nuk dihet.
Përveç në Shqipëri, Kushner synon të investojë edhe në Serbi. /REL/ KultPlus.com