27 Janar, 2021 - 12:23 pm
Asambleja e Përgjithshme OKB-së do të caktonte në vitin 2005, 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, në nderim të viktimave të Holokaustit.
Meta: Shqipëria i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre
Në kuadër të kësaj dite, Presidenti Ilir Meta shprehet se “sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë kurrë më të tilla gjenocide e akte çnjerëzore”.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës”, thekson Meta.
Ai shton se “ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes besa”.
“I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit”, u shpreh Meta.
Ruçi: Shqipëria, lider në luftën kundër antisemitizmit
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i bashkohet fushatës “WEREMEMBER-NE KUJTOJMË”, në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin.
Duke përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, Ruçi, u shpreh se “Shqipëria është mjaft aktive dhe në sinergji me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen këtij fronti”.
“Shqipëria e konsideron përgjegjësi para qytetërimit, por edhe një privilegj, të meritojë lidershipin e frontit të bashkuar të rajonit të Ballkanit për luftën kundër antisemitizmit. Ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, humanizmi mbi përndjekjet, vuajtjen e dhimbjen në vend të shkaktimit të saj të tjerëve. Historia na ka vendosur shpesh në të njëjtën barkë me hebrenjtë, me këtë popull që ka vuajtur një fat tragjik, por që dhimbjet e shkaktuara prej historisë nuk ia pakësuan fisnikërinë, dashurinë dhe humanizmin. Shqipëria në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për hebrenjtë dhe është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thekson kryeparlamentari.
Ai nënvizon se “shqiptarët bota i njeh si magjistratët e mbrojtjes së hebrenjve, pa dallim besimi fetar, pasurie, territori, orientimi politik, duke shënuar një konvergjencë kombëtare si rrallë herë në histori. Në qëndrimin në krah të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër antisemitizmit, ne jetërsojmë veprën e brezave para nesh, ndaj mbrojtjes që u bënë katër valëve të ardhjes së hebrenjve në Shqipëri, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të tmerrshme, në periudha dramatike dhe nxitur prej impulsesh të errëta”.
“Dita Ndërkombëtare e Kujtesës për Holokaustin nuk është një ditë urrejtjeje, por dashurie; nuk është një ditë armiqësie, por miqësie; nuk është një ditë që ndan, por që bashkon; nuk është kujtimi i një dite lufte, por thirrja për një epokë paqeje. Është një ditë që fton e bashkon në pajtim të gjitha qytetërimet, komunitetet e besimet fetare, kombet, rajonet, racat, të gjithë njerëzimin”, deklaron Ruçi.
Këtë vit, Kuvendi i Shqipërisë përkujton Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për Holokaustin, pas organizimit, në 28 tetor 2020, të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit, një nismë e Kuvendit në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë.
Forumi bashkoi në një platformë virtuale autoritete të larta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Izraeli dhe vendet e rajonit.
Në Forum përshëndetën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Parlamenit të Izraelit Yariv Levin, dhe drejtuesit e parlamenteve të vendeve ballkanike etj. Forumit i parapriu adoptimi nga Kuvendi i Shqipërisë, më 22 tetor 2020, i Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Të dyja këto nisma e bënë Shqipërinë një vend lider në rajon për luftën kundër antisemitizmit.
Xhaçka: Thellësisht krenarë për shqiptarët në misionin e shpëtimit të hebrenjve
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shprehet se në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura.
Ministrja thekson se nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën ndaj antisemitizmit.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura, si dhe të gjithë ata që dolën kundër të keqes më të madhe të kohës.
Kurrë nuk duhet të harrojmë apo të ulim vigjilencën në luftën tonë ndaj antisemitizmit. Thellësisht krenarë për Shqipërinë, shqiptarët dhe shërbimin diplomatik në misionin e shpëtimit të hebrenjve”, shprehet Xhaçka.
Basha: Përballja me të keqen është imperative edhe sot
Kryetari i PD-së Lulzim Basha kujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit, ndërsa thekson se përballja me të keqen është imperative edhe sot.
Basha shprehet se sot në Ditën Ndërkombëtare të Holakaustit kujtojmë dhe nderojmë viktimat e Holokaustit dhe gjithë brezat e humbur prej tij.
“Qëndresa dhe përballja me të keqen është imperative edhe sot kur fatkeqësisht fuqia e propagandës është akoma shkatërrimtare “, shprehet ai./ atsh/ KultPlus.com