Shqipëria ka dy nga liqenet më të rëndësishme të Europës

16 Nëntor, 2024 - 10:16 pm

Në Shqipëri gjenden dy liqenet më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër. Kështu shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në “Lonely Planet Italia”, në të cilin flitet për liqenet e Shkodrës dhe të Ohrit.

Për liqenin e Shkodrës thotë se është më i madhi në gadishullin Ballkanik, ndërsa ai i Ohrit më i vjetri në Evropë. Jo keq për një komb që ka përafërsisht madhësinë e Toskanës, thuhet në artikullin e “Lonely Planet Italia”.

Këto dy liqene dhe rrethinat e tyre nuk janë ende të prekura nga turizmi masiv, por turistët italianë tërhiqen nga plazhet si në kartolina përgjatë bregdetit dhe atmosfera e kryeqytetit Tiranë.

Nga viti 2022, organizatat italiane COSV dhe VIS kanë si objektiv të tyre vlerësimin e këtyre dy territoreve kufitare liqenore dhe promovimin e një modeli të ri turizmi që ka qëndrueshmërinë mjedisore dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në qendër të tij. Një model turistik në kontrast të plotë me atë që ka karakterizuar rajone të tjera të vendit, veçanërisht ato bregdetare.

Ndër të tjera në këtë artikull fshati Lin në veri të Pogradecit konsiderohet një nga më magjepsësit në Ballkan. Aty ndodhet vendbanimi më i vjetër në Evropë, mbi 8 000-vjeçar. Këtë e vërtetuan rezultatet e gërmimeve të kryera prej mbi katër vitesh nga arkeologët shqiptarë dhe nga Universiteti i Bernës.

Një vend ku shenjtëria, historia dhe kultura, përfshirë gastronominë, janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht. Mokra është një tjetër destinacion që rekomandohet të përfshihet patjetër në listën e udhëtimeve të turistëve.

Në këtë artikull vihet në dukje fakti që në muajt e ardhshëm, do të hapen katër shtigje të reja ecjeje midis Liqenit të Shkodrës dhe maleve, që do të jetë një mbështetje për zanatet e grave në fshatrat në periferi të Shkodrës dhe rritjen e promovimit turistik të plazheve në pjesën lindore të liqenit.

Këto janë të gjitha arsyet e mira për të planifikuar një udhëtim në Shqipëri vitin e ardhshëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme