Shqipëria komuniste, tatimi për beqarët dhe ndalesat për dasmat me vello dhe stoli

17 Korrik, 2023 - 1:28 pm

Nga: Llambi Zisi

Në Shqipërinë pa taksa ka një taksë të çuditshme, një taksë për beqarët që vonojnë të martohen dhe gratë e veja që vendosin të rrinë të vetmuara.

Me dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor që mban datë 9 shkurt të vitit 1951, bëhet e ditur se autoritetet kishin vendosur një shumë tatimi për beqarët, personat e ve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarit pa fëmijë që startonte në shifrën tre për qind të të ardhurave mujore për moshat mbi 20 vjeç – për meshkujt dhe për femrat (shih dokumentin më poshtë).

Në vendim parashikohej ndarjen në disa kategori të personave që e paguajnë taksën. Tarifa llogaritej tre për qind për punëtorët dhe nëpunësit mbi të ardhurat mujore. Për tregtarët, zejtarët dhe profesionistët llogaritej katër për qind mbi të ardhurat vjetore. Fshatarët mjaftonin të paguanin 600 lekë në vit, ndërsa personat e tjerë 200 lekë në vit. Sakaq dekreti kishte edhe përjashtimet e veta nga tatimi. Ushtarët, nënoficerët, nxënësit, invalidët, klerikët fetarë, gratë e veja etj., ndaloheshin që të paguanin taksë për beqarinë.

Për punëtorët e nëpunësit e administratave shtetërore, organizatat ekonomike, shoqërore e politike dhe për punëtorët e nëpunësit privatë tatimi llogaritej prej punëdhënësit në bazë të rrogës për muajin e kaluar dhe ndalohej nga rroga e pesëmbëdhjetë ditorit të parë të muajit pasardhës. Për tregtarët, tatimi llogaritej mbi të ardhurat në fund të vitit. Ata mund ta bënin pagesën në katër këste, më 1 Prill, më 1 Korrik, më 1 Gusht dhe më 1 Dhjetor. Në rastin e mospagesës dekreti parashikonte sanksione specifike.

Për emërtimin e ndalesës shprehej vendimi, ose për ndalesa tatimesh jo të rregullta të punëtorëve dhe nëpunësve beqarë, të veve pa fëmijë dhe të shkurorëzuarve pa fëmijë si dhe për mosderdhjen në kohë në bankën e shtetit të shumave të ndaluara, personat përgjegjës dënohen me gjobë deri më një mijë lekë. Dënimi me gjobë jepet me vendim të përgjegjësit të seksionit financiar pranë komitetit ekzekutiv të rrethit ose qytetit dhe nxirret me ndalesë nga rroga.

Nëse tatimi nuk paguhet brenda afateve të caktuara veprohet në bazë të dispozitave të ligjit mbi nxjerrjen e të ardhurave shtetërore. Qytetarët mund të kundërshtonin mbi tatimin e beqarëve brenda 30 ditëve. Ato shqyrtoheshin nga përgjegjësi i seksionit financiar dhe vendimi përkatës i komunikohet pagëdhënësit me shkrim”.

Niman Zeneli me origjinë nga Vajza e Vlorës, është njëri nga të ndëshkuarit me taksën e beqarisë.

Në dhjetorin e vitit 51 ka shkuar në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Vermosh të Shkodrës dhe është rikthyer në vendlindje pas tri vjetësh kur kishte mbushur 23 vjeç. Ndërkohë që për tri vjet me radhë familja nuk kishte paguar tatimin e shtetit për beqarinë e vonuar të tij. Zyrtarët lokalë që paraqiteshin çdo vit te shtëpia për të marrë detyrimin, nuk donin t’ia dinin që Nimani ato tri vjet kishte qenë ushtar dhe sipas dekretit përkatës përjashtohej nga tatimi. Dhe, ndodhi ajo që nuk pritej. Në mungesë të taksës së papaguar, i morën lopën e shtëpisë.

“Ka qenë diçka e tmerrshme, pavarësisht se sot të duket paradoksale”, kujton Nimani. Merrnim frymë vetëm nga një lopë dhe atë na e morën dhunshëm. Oh, sa na kushtoi ajo gjobë! Plotë një behar mbetëm pa dhallë. Nuk kishte më keq, po duhej përshtatur për të mbijetuar. Vitin tjetër pastaj e gjeta nusen dhe taksidari ma mori të keqen”.

Paradokse të tilla ka pasur me dhjetëra. Burrat beqar nga 20 deri në 50 vite paguanin vit për vit detyrimin sipas ligjit që për kohën ishte një tarifë jo e vogël. Po kështu, dhe gratë që deri në moshën 40 vjeçe kishin mbetur të pamartuara.

Vellot dhe stolitë e dasmës ndaloheshin me ligj. Slogani ishte. Të bëjmë dasma socialiste, të thjeshta e pa stoli borgjeze. Në zbatim të kësaj direktive që vinte direkt nga kreu i regjimit, aty nga mesi I viteve 1970 një tjetër dekret normonte më së fundi dhe eventin më të bukur të rinisë shqiptare. Sipas tij, përjashtohej në dasmë velloja dhe fustani i nuses, ndërkohë që ndaloheshin dhe stolitë e tjera. Një përçartje e tillë e padëgjuar kurrë u prit me një revolt të brendshme, por nuk guxonte kush të mos e zbatonte.

U mbyllën me urdhër dyqanet e fustaneve të nuses dhe stolive të tjera. Në të gjitha rastet kur dikush kapërcente këtë normë, ndëshkohej ligjërisht. Madje, kishte raste kur autoritet që konstatonin shkelje futeshin dhunshëm mes dasmorëve dhe prishin dasmën.

Nuk është e rastit që setet e fotove të dasmave të viteve 1970-’80 nuk kanë vello dhe fustane nusërie. Një vegim i largët ky, por që ka mbetur brengë në kujtesën e atyre që kanë patur evenimentin më të madh të jetës në këtë periudhë./ KultPlus.com

Të ngjajshme