13 Tetor, 2023 - 8:56 am
Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-0 ndaj Çekisë në ndeshjen e luajtur dje në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” të vlefshme për kampionatin europian, Euro 2024, që do të zhvillohet në Gjermani.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale konfigurimin e Grupit E, ku kuqezinjtë janë në krye me 13 pikë, Polonia renditet e dyta me 9 pikë, ndërsa çekët i ndjekin me 8 pikë.
Rama vlerësoi djemtë e Kombëtares, trajnerin e tyre por edhe tifozët kuqezinj.
“Me këtë pamje që s’e kemi parë kurrë dhe me një falënderim të madh për ata të cilët e krijuan, djemtë e mrekullueshëm të kësaj Kombëtareje, trajnerin e tyre të jashtëzakonshëm dhe ndihmësit e tij fantastikë, e padiskutim supertifozët kuqezinj që janë lojtari 12 i skuadrës sonë”, u shpreh Rama.
Me këtë fitore 3-0 kuqezinjtë janë fare pranë ëndrrës së kualifikimit për në EURO 2024./ atsh / KultPlus.com