Shqipëria ndalon përdorimin e qeseve plastike nga sot

1 Qershor, 2022 - 9:00 am

Nga sot do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike në territorin e Republikës së Shqipërisë. Projektligji për ndalimin e qeseve plastike u dërgua në parlament para 2 vitesh duke parashikuar për herë të parë gjoba për bizneset dhe qytetarët.

Pavarësisht afatit të vendosur, ligji u dërgua me vonesë në Kuvend për t’u miratuar dhe data 1 tetor e vitit 2020 u vendos si afati i ri për të zbatimin e nismës, e cila sërish nuk u përmbush.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nëpërmjet një postimi në Facebook shprehet se nga data 1 qershor do të nisë një epokë e re për vendin.

Nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme thekson kryeministri është në favor të mbrojtjes së atdheut dhe të fëmijëve.

Më herët kreu i qeverisë ka sqaruar se nuk do të ketë asnjë lëshim për prodhuesit e qeseve plastike.

Edhe ministrja e mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, thotë se nisma do të kryhet nën një monitorim të rreptë, e për shkelësit ligji parashikon edhe ndëshkime.

“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra.Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”. – shprehet Kumbaro.

Në Shqipëri çdo ditë prodhohen 198 ton mbetje plastike. Edhe sipas të dhënave të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve 2010-2025 nga Komisioni Evropian dhe Qeveria shqiptare, në Shqipëri prodhohen 198 tonë në ditë mbetje plastike me densitet të ulët dhe 111 ton në ditë mbetje plastike me densitet të lartë./rel / KultPlus.com

Të ngjajshme