Shqipëria në “Euro2024”, Silvinjo: Lumturi dhe krenari e madhe

19 Nëntor, 2023 - 4:31 pm

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo u shpreh së fundmi se sigurimi i një vendi në “Euro 2024” është padiskutim realizimi i ëndrrës së shumë njerëzve, ëndrrës së një kombi.

“Lumturi dhe krenari e madhe. Pjesëmarrja në një moment të tillë gëzimi për popullin shqiptar është një burim i jashtëzakonshëm kënaqësie. Faleminderit e mija shkojnë për shumë njerëz: për futbollistët, të cilët kuptuan dhe mbështetën idetë tona dhe gjithmonë luajtën me shpirt dhe zemër”, u shpreh ai, pas kualifikimit të Shqipërisë në “Euro 2024”.

Silvinjo falënderoi edhe pjesëtarët e stafit teknik dhe administrativ, të cilët punuan intensivisht dhe u kujdesën për çdo detaj gjatë të gjithë këtij rrugëtimi.

“Falënderimet shkojnë për drejtuesit dhe punonjësit e Federatës, që kanë bërë gjithçka që puna jonë të bëhej në perfeksion; për fansat, për mbështetjen e tyre jetike brenda dhe jashtë shtëpisë tonë; për familjen time, që janë baza e gjithçkaje që bëj dhe më japin mbështetje që të bëj punën time me dashuri dhe dedikim! Për këdo që direkt apo indirekt ka qënë pjesë e kësaj historie të mrekullueshme. Euro 2024 është këtu tani. Forca Shqipëri”, shkruan Silvinjo.

Shqipëria do të jetë pjesë e finaleve të Europianit të vitit 2024, që do të luhen në Gjermani duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm. Kualifikimi është siguruar matematikisht pas barazimit dje me rezultatin 1-1 në stadiumin “Zimbru” të qytetit të Chișinău përballë Moldavisë. /KultPlus.com

Të ngjajshme