Shqipëria në listën e dëshirave të të huajve: Destinacion që duhet vizituar

10 Mars, 2025 - 7:00 pm

Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.

Ndërthurja unike e plazheve, maleve, historisë, trashëgimisë kulturore, kulinarisë së pasur dhe mikpritja karakteristike shqiptare, janë forca e vërtetë e turizmit shqiptar.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot në rrjetet sociale prononcimin e disa të huajve, të cilët shprehen se, Shqipërinë e kanë në listën e dëshirave të tyre për ta vizituar.

“Unë jam nga Kina, mora pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit dhe më ka bërë përshtypje fjala e Kryeministrit, ishte shumë interesant. Mendoj se ky vend duhet vizituar. Shpresoj t’ju takoj në këtë vend të mrekullueshëm”, u shpreh një vizitore kineze.

Ndërsa një vizitor tjetër tha se, “për fat të keq nuk kam qenë më parë në Shqipëri, por është në listën e dëshirave të mia”.

“Shqipërinë e kam parë nga lartësia kur kam udhëtuar në Greqi apo Gjermani. Jam shumë kureshtar dhe me siguri është destinacioni i ardhshëm. Kryesisht jam kureshtar për  bukuritë natyrore. Kam parë që keni male, por dhe deti duket i këndshëm, uji i detit është i pastër kristal. Po ashtu trashëgimia kulturore duket mjaft interesante”, tha ai.

Një e huaj tjetër u shpreh se, është e interesuar të vizitojë fshatrat e vegjël turistikë. “Nuk dua ta vizitoj Shqipërinë në verë, por në mars dhe në prill”, tha ajo.

“Unë mendoj se në Shqipëri ka shumë gjëra për të parë, ju keni detin, keni Alpet, male dhe ushqim shumë të mirë dhe nuk është shumë larg nga Finlanda, unë jam nga Finlanda. Stenda e Shqipërisë në panair është e këndshme dhe e madhe dhe përmban të gjitha logot e Shqipërisë: ka muzikë, ushqim të mirë dhe duket shumë bukur”, pohoi vizitorja finlandeze.

Ndërsa një çift shprehu kureshtje për të vizituar Shqipërinë, pasi siç thanë ata, “kemi parë në televizor që Shqipëria ka vende shumë”.

“Është një vend i këndshëm dhe na pëlqen shumë, kemi parë shumë dokumentarë për Shqipërinë. Ju keni realizuar një stendë të madhe të bukur shumëngjyrëshe dhe mendoj se përfaqësoni kulturën e vendit tuaj. Jam kureshtar dhe dua ta vizitoj, pasi nga ajo që kam parë në televizion, njerëzit janë të sjellshëm, kostumet tradicionale janë të bukura dhe duket një vend me trashëgimi të pasur kulturore. Duam ta njohim më mirë Shqipërinë”, tha ata.

Të ngjajshme