18 Janar, 2025 - 11:24 am
Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid, i cili mbahet nga 22 deri në 26 janar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “edhe këtë janar, Shqipëria turistike e nis vitin me pjesëmarrjen në panairin gjigant të turizmit “Fitur” në Madrid me pjesëmarrjen e 152 shteteve dhe më shumë se 9000 ekspozuesve”.
“Vendi ynë qëndron krenarisht si një prej destinacioneve më atraktive në Europë , ku gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme jo vetëm të vizitorëve nga Spanja, por edhe të atyre nga vendet e Amerikës së Jugut”, tha Kumbaro.
Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.
Shqipëria mori pjesë edhe vitin e kaluar në panairin “Fitur” në Madrid, ku tërhoqi në stendën e saj mijëra vizitorë, të cilët treguan interes për të vizituar vendin tonë.
Vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë vizitorë të huaj. Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar fort edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të Turizmit./atsh/ KultPlus.com