Shqipëria synon më shumë sesa rehabilitimin e monumenteve të kulturës

10 Korrik, 2021 - 11:32 am

Në vjeshtën e vitit të kaluar Bashkimi Evropian kishte dhuruar 40 milionë euro për rehabilitimin e siteve kulturore shqiptare që u dëmtuan nga tërmeti i 2019-s. Kjo ndihmë e dhënë nga programi “EU4Culture” kishte për qëllim rikonstruktimin, rehabilitimin dhe valorizimin e mbi 50 monumenteve të dëmtuara.

Të premten, në kuadër të këtij programi, është mbajtur takim mes palëve të interesuara dhe ekspertëve të fushës për trashëgiminë kulturore.

Në qendër të takimit ka qenë ndërhyrja në gjashtë asete kulturore gjithandej Shqipërisë: Muzeu Etnografik në Krujë, Torra veneciane e Hamami në Durrës, Muzeu Etnografik në Kavajë, Teatri Kombëtar i Kukullave, si dhe Ura e Kurcajt.

Në këtë takim të pranishmit janë pajtuar që përdorimi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore sjell ruajtjen më të mirë të tyre, gjë që, sipas tyre, mund të shërbejë si burim frymëzimi për pjesëtarët e komunitetit lokal, artizanët, artistët dhe të gjithë të interesuarit e tjerë.

Në fjalën e saj ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka thënë se fondi i dhënë për Shqipërinë ka për qëllim jo vetëm rijetëzimin e objekteve, por edhe të gjithë zonën përreth monumenteve.

“Kjo do të thotë kthim të këtyre objekteve në atraksione turistike dhe kulturore, duke thirrur në ndihmë teknologjinë, qasjen bashkëkohore muzeale, që i flet kujtdo me gjuhën e kohës, që bën për vete të rinjtë me krijimtarinë dhe fantazinë e tyre; që tërheq vëmendjen e fëmijëve për të njohur më mirë vendin e tyre. Por, mbi të gjitha, kthimi në një çelës zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për komunitetet lokale”, ka thënë ministrja Margariti.

E pranishme në takim ishte edhe Pamela Lama, drejtuese e UNOPS-it në Shqipëri, e cila nënvizoi disa nga propozimet e kësaj zyre të Kombeve të Bashkuara.

Sipas saj, sitet e projektit do t’u nënshtrohen disa fazave të ndërhyrjes duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore, plani i biznesit dhe menaxhimi i riskut ndaj katastrofave natyrore.

“Ne do të punojmë në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës për të zhvilluar modele të reja për shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të trashëgimisë kulturore, e cila ka një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik lokal dhe kombëtar”, ka thënë Lama.

Ndërkaq përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Andrea Marco Vera, citohet të ketë thënë se programi “EU4Culture” është një nga më të mëdhenjtë që është hartuar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.

“Programi ‘EU4Culture’ do të ndihmojë në përmirësim dhe do të rrisë tërheqjen ndaj këtyre siteve dhe do të përfshijë komunitetin e trashëgimisë kulturore shqiptare – historianë, arkeologë ose arkitektë me njohuri të paçmueshme”, ka thënë Vera. /koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme