23 Mars, 2025 - 10:30 am
Aplikacioni TEA i krijuar për promovimin e Shqipërisë turistike, duke prezantuar jo vetëm peizazhin e magjishëm, por edhe trashëgiminë e pasur kulturore, është shkarkuar 80 mijë herë në 127 vende të botës.
Ky aplikacion i krijuar që prej qershorit 2023 është një mundësi e mirë që turistët të njihen me të gjitha dimensionet e ofertës turistike të vendit tonë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela tha për ATSH-në se “gjatë dy viteve, që nga prezantimi i këtij aplikacion janë përfshirë 3200 evente, si ato të Agroturizmit, Art Fest, Festivale Muzikore, Artet Pamore, Trashëgimi Kulturore dhe Teatër”.
Falë aplikacionit TEA turistët shijojnë krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike, duke marrë kështu më të mirën nga pushimet e tyre.
“Që nga krijimi i tij, aplikacioni TEA ka arritur deri në 80 mijë shkarkime në 127 vende të botës, në 7 kontinente. Disa nga vendet ku është shkarkuar ky aplikacion janë Shqipëria, Italia, SHBA, Anglia, Franca, Spanja, Turqia, Holanda, Kosova etj. Këto shifrat tregojnë se aplikacioni është shkarkuar përtej pritshmërive tona”, theksoi Çela.
Drejtoresha e AKT-së u shpreh se “ky aplikacion është shndërruar në një guidë digjitale që iu ofron vizitorëve jo vetëm evente, por edhe destinacione të trashëgimisë kulturore, shërbime turistike, shërbime utilitare, informuese duke prezantuar tashmë Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”.
Çela bën të ditur se “vitin e kaluar ka pasur më shumë evente në periudhën e verës, në muajt qershor-gusht ku edhe numri i turistëve është edhe më i lartë në çdo skaj të Shqipërisë. Ndër qytetet që janë përfshirë më shumë nga eventet janë Tirana, Vlora, Durrësi, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Berati dhe Himara”.
Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.
Që nga lançimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.
TEA e sjellë informacionin të organizuar në një format të thjeshtë, duke u mundësuar udhëtarëve të planifikojnë lehtësisht itinerarin e tyre të pushimeve.
Ky aplikacion është i disponueshëm falas në Apple Store dhe në Play Store dhe është projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe i Agjencisë Kombëtare të Turizmit./atsh/ KultPlus.com