29 Mars, 2025 - 2:00 pm
Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama prezantoi sot programin qeverisës të mandatit të katërt “Shqipëri 2030” sipas çdo sektori.
Duke u ndalur te turizmi dhe mjedisi, Rama tha se Shqipëria turistike është bërë trend evropian me 12 milionë turistë në 2024.
“Viti ka nisur janar-shkurt, 20 % më shumë vizitorë sesa janar-shkurti i vitit të kaluar. Mund të shkojmë në 20 milionë pa asnjë frikë në 2030, por nga ana tjetër duhet të ngadalësojmë turizmin masiv dhe duhet të fokusohemi shumë më tepër tek turizmi elitar dhe ekologjik dhe kemi rrugës projekte madhore, projekte që do të impaktojë në mënyrë serioze prodhimin e përgjithshëm kombëtar të vendit (PBP). Turizmi kontribuonte me shumë më pak se 1 miliard euro në ekonomi, sot jemi thuajse 5 miliardë euro të ardhura vetëm nga turizmi”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.
Gjithashtu, Rama nënvizoi se kur morën detyrën s’kishte një hotel real me pesë yje. “Yjet prodhoheshin, prodhoheshin tek partia. Emrat e hoteleve ishin kombinime mbiemrash edhe emrash kalamajsh. Sot kemi mbi 50 kontrata me hotele me pesë yje, të gjitha brandet e mëdha janë të interesuara të vijnë në Shqipëri”, deklaroi ai.
Rama tha se duhet patur parasysh gjithashtu se nga banorët e Shqipërisë ka pasur një numër shumë të rëndësishëm daljesh jashtë vendit për pushime apo për biznes dhe ky numër është 3-fishi i numrit që ishte.
“Banorët rezidentë në Shqipëri kanë dalë tre herë më shumë për turizëm biznes jashtë. Ça tregon kjo që janë varfëruar, apo që sot kanë më shumë mundësi, ndërsa brenda Shqipërisë në 2024 kanë lëvizur për turizëm 979 456 individë. Të gjitha këto janë të regjistruara. Lëvizjet për turizëm, e pamendueshme, e pamendueshme, e pamendueshme, jo shumë vite më parë”, shtoi ai.
Për mjedisin, Rama u ndal te “rritja e sasisë së hapësirës së zonës mbrojtura në 22% të territorit, 22% të territorit ne e kemi zonë të mbrojtur dhe kemi legjislacion të ri komplet evropian për zonat e mbrojtura, që i gjetëm të mbushura me çibanë dhe me tumore kënete nga të katër anët dhe në Shqipërinë 2030, synimi ynë është që të jemi një vend ku mbledhja dhe riciklimi i mbetjeve jo vetëm janë konform kuadrit të BE-së, por janë në një nivel tjetër nga ky që kemi sot, që është ku e ku me atë që kishim, por që është i pamjaftueshëm për atë që duhet të kemi”. /KultPlus.com