12 Shkurt, 2025 - 7:02 pm
Panairi më i madh i turizmit në botë, ITB Berlin pritet të sjellë interes të madh për Shqipërinë që shkon si vendi i nderit i panairit “ITB Berlin” 2025.
Kur kanë mbetur vetëm tri javë nga nisja e ITB Berlin, ky panair i bën jehonë numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të kaluar dhe investimeve në këtë sektor në vendin tonë.
“Me mbi 11 milionë vizitorë në vitin 2024 dhe 3 miliardë euro investime, Shqipëria është ylli në rritje i turizmit në Evropë. Vendndodhja e tij kryesore dhe sektorët e lulëzuar si mikpritja dhe pasuritë e paluajtshme ofrojnë mundësi të pafundme. Mbështetur nga reformat e qeverisë dhe iniciativat e gjelbra, është një qendër për rritje të qëndrueshme dhe inovacion”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të organizatorëve të ITB Berlin 2025.
Edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit ka shpërndarë të njëjtin postim të ITB Berlin duke ftuar të interesuarit që ta vizitojnë panairin, i cili mbahet në datat 4 – 6 mars 2025 në Berlin.
Eksplorimi i “Shqipërisë Rurale”, është një aspekt unik i turizmit shqiptar që do të zërë skenën qendrore në panairin ITB.
Në fokus do të jenë agroturizmet, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë edhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com