Shqipëria, vend pjesërisht i lirë, “Freedom House”: Problem serioz, polarizimi politik dhe korrupsioni

9 Mars, 2023 - 3:00 pm

Në raportin vjetor të “Freedom House” mbi liritë në botë, Shqipëria vijon të klasifikohet mes vendeve pjesërisht të lira, me 67 pikë, po aq sa një vit më parë në shkallën e vlerësimit deri në 100 pikë.

Në këtë kategori përfshihen 54 nga 195 vende, mes tyre ato të Ballkanit Perëndimor. Amy Slipowitz, nga organizata “Freedom House”, tha për Zërin e Amerikës se problemet më serioze për Shqipërinë mbeten polarizimi i partive politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, tha Amy Slipowitz, FreedomHouse.

Sipas raportit, Kosova shënoi një përmirësim prej katër pikësh në radhitjen e “Freedom House”, që sipas ekspertëve vlerësohet si një nga përmirësimet më të mëdha në mbarë botën në vitin 2022.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, tha Slipowitz.

Sipas “Freedom House” liria në botë shënoi rënie për të 17-in vit me radhë. / a2cnn / KultPlus.com

Të ngjajshme