Shqipëria, vendi i nderit në ITB “Berlin”, prezantohet siç nuk mund të imagjinohej deri vetëm disa vite më parë

9 Shkurt, 2025 - 4:00 pm

Në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që do të zhvillohet në datat 4-6 mars, Shqipëria do të ketë vendin e nderit.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon promovuese, me të cilën do të prezantohet Shqipëria në këtë panair.

“Shqipëria e të gjitha ndjesive këtë vit është zgjedhur si Vendi i Nderit në panairin më të madh global të turizmit, ITB Berlin, e për pak javë do të prezantohet atje nga organizatorët ashtu siç nuk mund të imagjinohej deri vetëm disa vite më parë”, theksoi Rama.

Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.

Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare.

Në muajin janar Shqipëria mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë ku tërhoqi vëmendjen e vizitorëve të shumtë, por jo vetëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme