6 Shkurt, 2025 - 7:04 pm
Shqipëria do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që zhvillohet në datat 4-6 mars.
Lidhur me pjesëmarrjen në këtë panair sot në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit u mbajt takimi i radhës për përgatitjet mbi prezantimin e Shqipërisë si vendi i nderit i ITB Berlin.
Në takimin e drejtuar nga drejtoresha e përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro dhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela, u mblodhëm përfaqësuesit e sektorit publik, operatorët turistikë, bizneset dhe partnerët që mbështesin Shqipërinë si kryefjalën e promovimit turistik.
Gjatë takimit u koordinua për programin e stendës së Shqipërisë, promovimin dhe paraqitjen e ofertës turistike të vendit.
Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.
Ndërkohë që ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, ndau një video promovuese të Shqipërisë.
“Shqipëria me të gjitha ndjesitë është vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin”, shkruan Kumbaro.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com