15 Qershor, 2024 - 11:20 pm
Shqipëria e ka nisur me humbje Kampionatin Evropian.
Kuqezinjtë janë mposhtur 2:1 nga Italia në ndeshjen e parë, duke e nisur jo mirë kampanjën.
Dueli nisi mirë për kuqezinjtë, që kaluan në epërsi pas vetëm 23 sekondash lojë nëpërmjet Nedim Bajramit.
Megjithatë, Italia shpejt mori veten dhe përmbysi gjithçka.
Fillimisht Bastoni barazoi rezultatin në minutën e 11-të me një gol me kokë.
E pesë minuta më pas, Barella me gol nga distanca përmbysi rezultatin dhe kaloi “azzurri” në epërsi.
Pjesa e dytë ishte shumë më e qetë me pak raste shënimi.
Për Shqipërinë, Rey Manaj pati mundësinë më të mirë, por Donnarumma ia mohoi golin.
Rreth 50 mijë tifozë shqiptarë ishin të pranishëm në stadium, megjithatë Shqipëria dështoi të arrinte të paktën një barazim që do të ishte i mirëseardhur.
Kësisoj, Italia i bashkohet Spanjës me tri pikë, kurse Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë asnjë./ KultPlus.com