Shtatë teoritë mbi origjinën e jetës në Tokë

25 Gusht, 2022 - 9:15 pm

Nga Charles Q. Choi, Scott Dutfield, Live Science

Origjina e jetës në Tokë filloi më shumë se 3 miliardë vite më parë, duke evoluar nga mikrobet më themelore tek një grupim gjallesash me një kompleksitet të madh me kalimin e kohës.

Shkenca mbetet e pavendosur dhe konfliktuale për origjinën e saktë të jetës, e njohur edhe si abiogjenezë.  Megjithëse shkenca duket ende e pasigurt, këtu janë disa nga shumë teoritë e ndryshme shkencore mbi origjinën e jetës në Tokë.

Gjithçka filloi pas një shkëndije elektrike

Një goditje rrufeje mund të ketë shkaktuar shkëndijën e nevojshme për fillimin e jetës në Tokë. Shkëndijat elektrike mund të gjenerojnë aminoacide dhe sheqerna nga një atmosferë e ngarkuar me ujë, metan, amoniak dhe hidrogjen.

Kjo gjë është testuar në eksperimentin e famshëm të Miler–Urej në vitin 1952. Ky eskperiment na sugjeron se rrufeja mund të ketë ndihmuar në krijimin e blloqeve kryesore të fillimit të jetës në Tokë.

Dhe përgjatë miliona viteve, mund të formohen molekula më të mëdha dhe më komplekse. Edhe pse kërkimet kanë zbuluar se atmosfera e hershme e Tokës ishte në të vërtetë e varfër me hidrogjen, shkencëtarët kanë sugjeruar se retë vullkanike mund të kenë pasur prani të shumta të metanit, amoniakut dhe të hidrogjenit, dhe se ato mund të jenë goditur nga rrufetë.

“Molekulat e jetës” u ndeshën në argjilë

Kjo ide është propozuar nga kimisti organik Aleksandër Graham Kairns–Smith në Universitetin e Gllasgout në Skoci.

Ai propozoi në librin e tij të vitit 1985 “7 të dhëna për origjinën e jetës”, se kristalet e argjilës e ruajnë strukturën e tyre, ndërsa rriten dhe ngjiten së bashku për të formuar zona që janë të ekspozuara ndaj mjediseve të ndryshme, duke bllokuar rrugës molekula të tjera, të cilat ishin shumë të ngjashme me gjenet tona sot.

Jeta filloi në fund të deteve

Kjo teori sipas revistës “Nature Reviews Microbiology”, sugjeron se jeta mund të ketë filluar në kanalet hidrotermale të thellësisë së detit që nxjerrin elementë kyç për jetën, si karboni dhe hidrogjeni.

Këto burime mund të gjenden në thellësitë më të errëta të thellësisë së oqeanit, zakonisht në pllaka kontinentale të ndryshme. Edhe sot këto burime të pasura me energji kimike dhe termike, bartin shumë ekosisteme të gjalla.

Jeta filloi në vendet e ftohta

Akulli që mund të ketë mbuluar oqeanet 3 miliardë vite më parë, e ka lehtësuar fillimin e jetës në Tokë.

“Përbërjet organike kryesore që mendohet të kenë qenë të rëndësishme për origjinën e jetës, janë më të qëndrueshme në temperatura më të ulëta” tha për “New Scientist” eksperti Jeffrey Bada nga Universiteti i Kalifornisë.

Po ashtu akulli mund t’i ketë mbrojtur përbërjet organike të brishta nga drita ultravjollcë.

Përgjigja qëndron formimin e ADN-së

Në ditët e sotme ADN-së i duhen proteina për t’u formuar dhe proteinat kërkojnë AND-në  për t’u formuar.

Atëherë si mund të jenë formuar ato pa njëra-tjetrën?

Përgjigjja mund të jetë ARN, e cila mund të ruajë informacione si ADN-ja, të shërbejë si një enzimë ashtu si proteinat, dhe të ndihmojë në krijimin e ADN-së dhe proteinave. Më vonë ADN-ja dhe proteinat e pasuan këtë “botë të ARN-së”, pasi ato janë më efikase.

Jeta në Tokë ka pasur fillime të thjeshta

Në vend se të jetë zhvilluar nga molekula komplekse si ARN, jeta në Tokë mund të ketë nisur nga molekula shumë të vogla, të cilat ndërveprojnë me njëra-tjetrën në reaksione ciklike.

Ato mund të jenë përfshirë në kapsula të thjeshta të ngjashme me membranat qelizore, dhe me kalimin e kohës mund të kenë evoluar në molekula më komplekse që kryenin këto reaksione më mirë se ato më të voglat, raporton abcnews.al.

Jeta nis në një vend diku tjetër në hapësirë dhe më pas në Tokë

Ndoshta jeta nuk filloi fare në Tokë, por filloi fillimisht në hapësirë, një koncept që NASA e ka cilësuar si panspermia. Për shembull, shumë shkëmbinj shpërbëhen në Mars si pasojë e përplasjes së trupave qiellorë.

Një numër meteoritësh të tillë janë gjetur në Tokë. Disa studiues kanë sugjeruar se ato kanë sjellë këtu bakteret e para. Ndërsa shkencëtarë të tjerë sugjerojnë se mund të ketë udhëtuar për një kohë të gjatë nëpër kometa nga sisteme të tjera yjore./abcnews.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme