28 Gusht, 2024 - 3:51 pm
Së shpejti shkrimtari i madh Dritëro Agolli do të ketë një shtëpi muze në fshatin e tij të lindjes në Menkulas të Devollit. Ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të këtij fshati, kërkesë e cila pritet që së shpejti të bëhet realitet.
Një projekti do të sjellë një shtëpi muze të denjë për gjeniun e letrave shqipe por edhe një atraksion të ri turistik në këtë zonë.
“Përfshin ndërtimin nga e para të shtëpisë muze, do të shërbejë për të shfaqur gjithë veprimtarinë e kolosit të veprave shqipe në Devoll dhe të shpresojmë që do jetë një atraksion turistik për Devollin. Implementimi i veprës kap shifrën e 31 milion lekëve të reja dhe 60% e financon këshilli i qarkut dhe 40% bashkia Devoll”, tha Eduart Duro, kryetar i Bashkisë Devoll.
Vitin që vjen pritet që ky muze të jetë i perfunduar dhe hape dyert për vizitorët ndërkohë që gjithë ndërtesa do të jetë multifinksionale, thotë kryetari i këshillit të qarkut Korçë
“Është procedura e përgatitjes së tenderimit dhe shpresojmë që brenda këtij viti të kemi ecur me ndërtimin dhe brenda vitit tjetër të ketë përfunduar. Ndertesa është konceptuar të jetë multifinksionale, të ketë pjesën që i takon jetës së Dritëro Agolli, i cili është NDER i KOMBIT, ndërkohë do të ketë pjesë funksionale që do të shërbejnë për aktivitete kulturore artistike për rajonin”, tha Erjon Nexhipi, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.
Qarku i Korçës ka numrin më të madh të muzeve në vend, fakt ky që ka tërhequr me mijëra turistë të huaj, kryesisht nga Europa Veriore. /euronews.al/KultPlus.com