Shtëpia e Bardhë mbështet Shqipërinë pasi kjo e fundit ndërpreru marrëdhëniet me Iranin

7 Shtator, 2022 - 8:39 pm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vendimin e Shqipërisë për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Me anë të një deklarate, Shtëpia e Bardhë shpreh dënimin më të fuqishëm për sulmin kibernetik ndaj vendit tonë, aleat në NATO, dhe kërkon që regjimi i Teheranit të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje të paprecedentë.

“Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-së dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”, tha Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Shtëpia e Bardhë thekson se “Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të prekura si infrastrukturë kritike”. Gjithashtu paralajmëron se aktivitetet keqdashëse kibernetike të një shteti për të dëmtuar qëllimisht shërbimet publike të një vendi tjetër do të hasin në reagim lokal, rajonal dhe global, gjë e cila mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt. Në reagim, qeveria amerikane tregon dhe nivelin e dëmit të shkaktuar nga Irani në të dhënat dhe shërbimet publike shqiptare.

“Për javë të tëra, qeveria amerikane ka qenë në terren duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun”.

Edhe Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, komentoi reagimin e Shqipërisë ndaj Iranit, i cili sipas qeverisë shqiptare, qëndronte pas sulmeve kibernetike të dy muajve më parë. “Më lejoni për të theksuar rëndësinë e veprimit që është ndërmarrë kundër sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Ne kemi parë deklaratën e Ramës këtë mesditë. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë, kur miku ynë, aleati ynë është në sulm, SHBA do të ndërmarrin veprime”, u shpreh Yuri Kim, pas takimit që zhvilloi ditën e sotme me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla. /KultPlus.com

Të ngjajshme