Shtëpia e Musine Kokalarit në Gjirokastër do të kthehet në muze

10 Shkurt, 2022 - 3:30 pm

Në 105-vjetorin e lindjes së intelektuales Musine Kokalari, bashkia Gjirokastër organizoi aktivitetin e titulluar “Testamenti i Musinesë”.

Përfaqësues të institucioneve publike, pushtetit vendor, të afërm të Musine Kokalarit, intelektualë, studiues, etj vlerësuan kontributin e rëndësishëm të saj për një Shqipëri demokratike dhe të zhvilluar.

“Musine Kokalari ishte një grua e rrallë që shenjoi një epokë dhe udhëhoqi përpjekjet për emancipim të gruas shqiptare, një mendje e bukur dhe shpirt i lirë që s’u dorëzua deri në frymën e fundit. Në bashkëpunim me familjen Kokalari synojmë kthimin e shtëpisë së saj në Gjirokastër, në muze që do të jetë edhe një atraksion tërheqës për turistët”, u shpreh kryetari i bashkisë, Flamur Golemi.

Përgjatë këtij aktiviteti u ekspozuan relike dhe dokumente nga jeta e Musine Kokalari si dhe u shfaq filmi dokumentar “Nusja me shifon të zi” kushtuar jetës së saj.

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit XX.

Pas Luftës së Dytë Botërore u ftua nga Sejfulla Malëshova që të merrte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke pas qenë themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i lirisë”, u arrestua më 17 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg. Më 2 korrik të po atij viti, u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit.

Më 1964, pas 18 viteve burgim në Burgun e Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgim, kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj e internuar në Rrëshen. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme