4 Mars, 2025 - 11:00 am
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot viktimat e klerit katolik të ekzekutuar pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër, më 4 mars të vitit 1946.
Gjatë dhjetorit të vitit 1945, autoritetet e regjimit komunist zbuluan në Shkodër organizatën “Bashkimi Shqiptar” që drejtohej nga i riu seminarist Mark Çuni. Organizata ishte shfaqur nëpërmjet disa trakteve antikomuniste të lëshuara në qytetin e Shkodrës. Për këtë arsye, u arrestuan gjithashtu si përgjegjës Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani si eprorë dhe profesorë të seminarit.
Gjithsej u arrestuan 39 persona. Kjo do të ishte e para goditje e organizuar ndaj klerit katolik në Shqipëri.
Në gjyqin e mbajtur në kinema “Rozafati”, prokurori Aranit Çela akuzoi të pandehurit se kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian. Me okupimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhëtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj.
Klerikët mohuan çdo akuzë dhe akuza nuk paraqiti prova. Nga 39 të arrestuar, 7 prej tyre u dënuan me vdekje. Ekzekutimi me pushkatim u krye pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër më 4 mars 1946 për: Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti, Atë Gjon Shllaku ofm, djakon Mark Çuni, Qerim Sadiku, Gjelosh Lulash Bajraktari, Fran Miraka (u ekzekutua më 3.7.1946)./atsh/KultPlus.com