8 Nëntor, 2022 - 3:20 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot shkrimtarin dhe publicistin Bedri Myftari (21 dhjetor 1938 – 08 nëntor 2013).
Bedri Myftari lindi në Filat të Çamërisë, më 21 dhjetor të vitit 1938. Në moshën 6-vjeçare, u dëbua nga vendlindja me gjithë familjen dhe u vendos në Shqipëri. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Fier, ndërsa të mesmen, Teknikumin Financiar, në Tiranë. Në fillim të viteve ’60 punoi në gazetën “Zëri i Rinisë”. Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit “Grupi i të rinjve kundër vijës së partisë, në art dhe në letërsi” dhe si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vite iu hoq e drejta e botimit. Pas lirimit nga burgu punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës iu kthye shkrimeve dhe gazetarisë. Vdiq në Tiranë, më 8 nëntor 2013.
Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Fluturzat e borës”(tregime, 1967), “Mbrëmjet e qytetit tim” (tregime, 1969), “Ti je Eva” (poezi, 1996), “Bardh e zi” (publicistikë, 2000), “Vajza e rojtarit të pyllit” (përralla, 2003), “Pas Kastadivës”(roman, 2007). / KultPlus.com