22 Prill, 2021 - 10:37 am
Trieshjanët, sikur të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë jetuar në zona malore, kanë ëndërruar të kenë një shtëpi të mirë banimi. Në kohët e hershme kjo gjë realisht nuk ka qenë e mundur për shkak të kushteve ekonomiko –sociale dhe varfërisë në të cilën ata kanë jetuar. Banorët e nëntë fshatrave të Trieshit fillimisht kanë jetuar në kasolle të këqija të ndërtuara nga ata vetë.
Zgjedhja e trollit
Këto shtëpi tradicionale banimi i ndërtonin në vende të ngritura, shpate mali e në kodrina, për të mos zënë tokën e paktë pjellore , por edhe për t’u mbrojtur nga lagështira, ku tërë ditën nxenë dielli ( në shulla) , ndërsa më rrallë në ndonjë luginë, apo pranë ujit siç është rasti në fshatin Cemi i Trieshit. Këto shtëpi të përhershme banimi qenë të tipit të dendur, domethënë të grumbulluara nëpër çdo fshat e mëhallë larg njëra tjetrës 1-10 kilometra. Kjo zgjedhje e truallit për ndërtimin e shtëpisë bëhej për arsye praktike, respektivisht materiale. Por trieshjanët nuk i kanë ndërtuar shtëpitë vetëm në atë truall, i cili i plotëson vetëm kushtet natyrore dhe praktike, nëse nuk plotësohen edhe kushtet e natyrës shpirtërore, sepse ishin të ngarkuar me besime dhe besëtytni të ndryshme. Ata nuk ndërtonin shtëpi në atë vend ku mund të kenë qenë ndërtuar kishë ose ndonjë varr, të cilat konsideroheshin vende të rrezikshme për pjesëtarët e familjes. Po ashtu nuk preferonin të ndërtonin shtëpi në truallin e shtëpisë së vjetër ku nuk ka pasur përparim në familje dhe në ekonomi shtëpiake. Ka qenë traditë gjithashtu që në themelet e shtëpisë kur fillon ndërtimi i shtëpisë të theret ndonjë dash, dele shterpë apo ndonjë gjel. Besohej se shtëpia e cila është ndërtuar “ në troll të keq”, ose pa therjen e ndonjë kafshe shtëpiake ( përgjakjen e themelit) nuk do të përparojë. Ishte zakon i vjetër që kur të përfundojë kulmi i shtëpisë në maje të tij të vihet një shami e kuqe , që simbolizonte flamurin kombëtar.
Tipet e shtëpive tradicionale
Sipas të dhënave gojore të treishjanëve, ngase nuk kemi të dhëna të tjera të plota arkitekturore , rezulton se kasollet për strehimin e njerëzve në këtë trevë kryesisht kanë qenë të ndërtuara me thupra druri ( me gardh) dhe me gurë. Ato kanë qenë përdhese, të shtruara me baltë e të mbuluara me kashtë. Në të katër qoshet e kasolles janë vendosur shtylla druri të forta prej lisi etj. Midis shtyllave vendosnin hunj të gjatë që përfundonin me dy degë ( grremça) në formën e shkronjës V, që shërbenin për të vendosur drurët lidhës, horizontalë. Ndërmjet këtyre drunjve ( furkave) ngrihej gardhi deri atje ku nis çatia e kasolles. Ato pastaj lidheshin e përforcoheshin me anë të trarëve, kurse mbi to ndërtohej kulmi prej hunjve të tjerë prej druri. Sipër gjithë sipërfaqes së çatisë vendosej kashta e ngjeshur , që të mos depërtoi shiu. Kashta më e mirë thonë ishte ajo që merret nga thekra, kashta e elbit dhe ajo e grurit.
Kasollet e moçme të thjeshta për njerëz, siç thamë më lartë, janë ndërtuar edhe prej guri të papërpunuar pa baltë e pa gëlqere. Edhe ato kanë qenë përdhese dhe të mbuluara me kashtë. Muret e kasolles, nga ana e brendshme, në kohën për të cilën bëhet fjalë, lyheshin me baltë të bardhë të përzier me byk (mbeturina kashte dhe kallinjsh që mbeten nga shirja e grurit) ose me gëlqere.
Shfrytëzimi i kasolleve të lashta si banesë, për shkak se aty ndizej zjarri, paraqisnin edhe rrezik. Djegia e druve nga zjarri e mbushte kasollen me tym, nga i cili njerëzve u lotonin sytë dhe u zihej fryma, si rezultat i koncentrimit në të të gazit karbonik CO2. Zjarri ndizej në kasolle drejtpërdrejt në vatër, pra në tokë. Kjo e bënte kasollen të ftohtë për banorët që jetonin brenda saj.
Gjatë shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX në Triesh dominonin shtëpitë me mure të ndërtuara me gurë të latuar e me gëlqere dhe mure me gurë e me baltë, të mbuluara me tjegulla. Këto shtëpi kryesisht ishin të vogla, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes . Pra, në dimensionet e shtëpisë së Trieshit ka ndikuar numri i pjesëtarëve të familjes . Familjet me shumë anëtarë kishin shtëpi më të mëdha, se sa familjet me më pak anëtarë. Shumica e tyre kishin dritare të vogla, dhe s’kishin tymtarë (kumin). Në vend të tymtarit shpesh herë kishte një vrimë të vogël në kulm të shtëpisë.
Shtëpitë më të thjeshta ishin përdhese në formë katërkëndëshi me dy ndarje. Në njërën anë ka jetuar familja, kurse pjesa tjetër është shfrytëzuar për bagëti (dele, dhi, lopë, e kafshë tjera shtëpiake). Më së shumti kishte shtëpi në kat dhe gjysmë kat të cilat përshtateshin në terrenin e pjerrtë ( gjysma e poshtme me dy kate dhe e sipërmja me një kat përdhese). Në shumicën e rasteve në njërin kafkan të shtëpisë, ndërtohej oxhaku, afër të cilit ishte vatra e zjarrit ku përgatitej ushqimi. e këtyre tipeve zakonisht kishin vetëm një derë dhe nga një ( rrallëherë) dy dritare të vogla ( në çdo kthinë) prej druri. Por, ka pasur raste që në shtëpia të mëdha janë ndërtuar dy dyer prej dërrasave të trasha dhe dy oxhaqe prej guri të skalitur me mjeshtëri, nga duart e gurgdhendësve vendas e të tjerëve. Kulmi ( pullazi) i shtëpive në Triesh ishte me dy ujna ose me katër ujna ( dy ose katër strehë). e ndërtuara në kat kanë pasur tavan ( çardak) . Ato kanë vetëm dy ambiente ( kthina) . Në katin përdhese ndodhej ahuri (ahri) për bagëti , kurse në katin mbi ahur ndodheshin pjesët e tjera ku organizohej jeta e familjes “ shpija e zjarmit”( kuzhina) dhe dhoma e ( të) fjetjes. Shkallët për në kat kanë qenë brenda në ahur ose përjashta. Edhe pse shtëpitë trieshjane ishin të vogla aty gjithmonë kishte vend për mysafirë.
Ndërtime prej druri në këtë periudhë kohore për të cilën po flasim ka shumë më pak dhe ato ishin kasolle për bagëti ose kotece të vogla ( hangarë) për pak drithëra e gjëra të tjera të ekonomisë shtëpiake. Këto ndodheshin në oborre të shtëpive. Oborri i trieshjanëve zakonisht nuk ishte i rrethuar me lëndë e dërrasa ose me gardh, sepse në këtë trevë nuk ka qenë traditë të ngritën rrethoja të larta e të forta individuale pasi mbrojtja këtu gjithmonë ka qenë kolektive. Vendi me vathë e me kasolle ishte i rrethuar me drunj. Në hyrje të vathës kishte një shtrungë (derë prej dërrasash druri) , ku mileshin dhentë që ishin me numër të madh dhe nuk i nxinte kasollja.
Trieshjanët përveç vendbanimeve të vjetra të përhershme kanë pasur, edhe ato të përkohshme ose sezonale ( verore) . Ato janë tëbanat ( dbanet) në bjeshkën e Koritës dhe Koshticës, ku kanë jetuar me bagëti gjatë stinës së verës. Edhe tëbanat e ndërtuara prej guri të papërpunuar dhe të mbuluara me kashtë janë të shpërndara sikur vendbanimet e përhershme. Gjithashtu ato nuk janë afër njëra-tjetrës, sepse këtu ( në bjeshkë) bagëtia ka nevojë për hapësirë edhe më të madhe se në fshat.
Orenditë shtëpiake tradicionale
Çdo shtëpi e vjetër në fshatrat e Trieshit ka pasur orenditë shtëpiake për gatim, për ushqim, për larje etj. Orenditë kanë qenë primitive. Po ju tregojmë disa nga këto pajisje. Për pjekjen e bukës dhe ushqimeve tjera, si lakëroje, pite, mish, patate etj. shërbente vatra prej guri dhe kakini ( saçi) me prush, kusia për zierjen e ushqimit, magjja për përgatitjen e bukës ose për qumësht, mjelca e qumështit ( tamblit), kusia për zierjen e ushqimit, tepsia fulterja, thika luga, sofra rrumbullake për ngrënie, stolat trekëmbësh ose ndonjë karrige e gjerë e ulët ( stollovaça), bulera për ujë të pijshëm, zakopi për djathë e kos, tëpini për tëlyen, arka e mielit, arka e rrobave, kandili me vajguri ( bishtuku) etj.
Shumica e pajisjeve për nevojat e përditshme në shtëpitë tradicionale, trieshjane të vatrës, të gatimit, të ngrënies, të fjetjes, të ndenjjes, të mbajtjes së plaçkave, të ndriçimit etj. janë prej druri, prej dheu dhe prej tekstili, të punuar zakonisht brenda ekonomisë shtëpiake. Shumë nga këto sot nuk i gjen as dhe për kujtim.
Ndryshimet në arkitekturën e ndërtimeve
Si rezultat i përmirësimit të kushteve të jetesës pas rënies së komunizmit në gjysmëshekullin e dytë të shekullit XX në Triesh bien në sy shumë ndryshime të tipareve tradicionale të kulturës popullore, mes të cilave edhe në arkitekturën e ndërtimeve të shtëpive. Prej atëherë arkitektura popullore në Triesh ka përjetuar ndryshimë të dukshme. Ndërkohë u ndërtuan shumë shtëpi të reja. Në disa fshatra , madje aty këtu ato kanë pamjen deri diku të shtëpive në qytet. Shtëpi të tilla ka në fshatin Delaj etj. Ato i kanë ndërtuar trieshjanët në mërgim. Por, për fat të keq shumica e tyre gjatë gjithë vitit qëndrojnë të mbyllura sepse të zotët e tyre ndodhen larg vendlindjes.
malin e Trieshit sot nuk mund të shohësh asnjë shtëpi të vjetër prej druri a guri të mbuluar me kashtë, madje nuk arrita të gjejë asnjë fotografi të para 100 – vjetëve të Trieshit. Këto objekte të moçme e të veçanta të arkitekturës popullore ikën. U zhdukën. Shkuan sikur mos të kishin qenë. U harruan. E ranë në gjumë të flenë. Si gjurmë e ekzistencës të këtyre vlerave popullore kanë mbetur vetëm rrënojat ( gërmadhat) e murishtave të tyre të lëna pas dore, të cilat ruhen vetëm në kujtesën e njerëzve që “po firojnë “ njëri pas tjetrit. / Nga Gjekë Gjonaj / KultPlus.com