31 Janar, 2025 - 11:55 am
Data 28 janar në shtetin e Illinois në ShBA, do të kremtohet si Dita e Lirisë. Kjo ditë u caktua si e tillë nga guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, në nderim të poetit dhe shkrimtarit shqiptar, Visar Zhiti.
Në Proklamatën e vulosur nga guvernatori Pritzker theksohet rëndësia e kësaj dite si simbol i rezistencës së poetit ndaj regjimit dhe shtypjes. Gjithashtu thuhet se kjo ditë do të celebrohet si e tillë në përkujtim të datës 28 e cila përkon me ditën e lirimit të Zhitit nga burgu.
“Duke patur parasysh që është e duhura të përkujtojmë 28 Janarin si një ditë për të nderuar Visar Zhitin dhe jetën e tij të jashtëzakonshme, duke siguruar që historia e tij të rezonojë me brezat e ardhshëm dhe që liria është një poemë e shkruar në zemrat e të gjithë njerëzve. Prandaj unë, Guvernatori i Shtetit të Illinois-it me anë të kësaj shpall 28 Janarin 2025 si Dita e Visar Zhitit, një ditë për të celebruar vlerat e lirisë artistike, të të drejtave të njeriut dhe qendresën e shpirtit njerëzor. Në dëshmi të kësaj, unë kam vënë dorën time këtu dhe kam urdhëruar që të vendoset Vula e Madhe e Shtetit të Illinois-it”, thuhet në deklaratën e guvernatorit.
Proklamata iu dorëzua Visar Zhitit nga Presidenti i Komunitetit Shqiptar në Illinois, AACI, Edon Shaqiri dhe Presidentja e “Care for Albania”, Dr. Sonila Sejdaras në një ceremoni të mbajtur në Chicago-s, në 727 West Madison St. ku morën pjesë personalitete shqiptare të fushave të ndryshme të cilët jetojnë dhe punojnë në SHBA.
“Unë dola nga portat e hekurta të burgut në atdhe dhe arrita në dritat marramendëse të Chicagos në SHBA, nuk jam vetëm, para meje kanë ardhur plot e plot të tjerë. Këtu liria është më e vërtetë dhe më e fortë, dhe që na bën ta duam shumë këtë vend si një atdhe i ri dhe na bën ta duam edhe më shumë atdheun që lamë dhe e di që rruga më e rëndësishme e lirisë është ajo që të çon tek vetja ashtu si tek tjetri, te e mira dhe te ardhmëria. Liria jeni ju” u shpreh Visar Zhiti gjatë fjalës së mbajtur.
Në ceremoni mori pjesë dhe aktori shqiptar me famë botërore Jim Belushi, i cili lexoi dhe disa poezi të Visar Zhitit./gazetasi/KultPlus.com