4 Shtator, 2021 - 3:00 pm
Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare, mjeshtri i madh i humorit shkodran, Paulin Preka. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar pasditen e sotme në Itali, ku edhe jetonte prej disa vitesh me familjen.
Aktori i njohur, emrin e tij të vërtetë e ka Palok Prek Gjergji, por Paulin Preka nisi që të thirrej nga shoqëria, duke u bërë kështu identiteti i tij i parë, me të cilin u njoh nga të gjithë shqiptarët.
Aktori i njohur i humorit shënon me dhjetra role në estradën e Shkodrës, por rolin më të spikatur ka atë të brigadierit në filmin “Çifti i lumtur”, ku luan krah Bep Shirokës dhe Tinka Kurtit. Preka është nderuar me titullin “Artist i merituar”. Për rreth 9 vjet që punoi si aktor drame, Paulin Preka interpretoi në disa role kryesore, ndër të cilët mund të veçojmë dramatizimin e romanit “Këneta.
Pas viteve 1990 janë një sërë premierash të shkruara si librete të vëna në skenë, ku spikasin materialet e “Ndihmave humane”, “Liçensa”,, “Dasme e Refikut” e mandej në këto vite materiale që kanë mbetur në kujtesen e spektatorëve si “Krapi”, “Kena harru baben”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”./KultPlus.com