Shumë aktivitete në Festivalin Multikulturor, paradë, artizanale e ushqime të ndryshme më 17 dhe 18 qershor

14 Qershor, 2022 - 3:12 pm

Shumë aktivitete kulturore do të shënojnë edicionin e katërt të “Festivali Multikulturor” që organizohet nga  OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, e që do të mbahet më 17 dhe 18 qershor të Parku i Qytetit në Prishtinë, e që aktivitetet kulturore për dy ditë di të nisin prej orës 11:00 deri në ora 19:00, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë njoftuar për KultPlus se qëllimi kryesor i këtij festivali është ngritja e vetëdijes, promovimi i divesitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ofrimi i hapësirës dhe promovimi i artistëve të  rijnë e po ashtu edhe fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.

 “Gjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pritur mbi 5000 pjesëmarrës, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të mësojnë nga ekspertët e fushës për identitetin romë, ashkali dhe egjiptian, përfshirë këtu edhe shumë tema tjera të cilat zgjuan interes të veçantë. Në fakt ky festival ishte çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore, artistike e mbi të gjitha në inkurajimin e njerëzve, që të mendojnë përtej limiteve të tyre të deritanishme”, thuhet në këtë njoftim.

Festivali Multikulturor do të organizohet për herë të katërt dhe synon të bëhet eventi më i madh në rajon.

“Qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë pjesëmarrjen e shumë akterëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, artistëve, politikëbërësve kryesorë me ndikim dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, akademikëve, studentëve dhe palëve të tjera relevante të interesuara të cilët do të ndihmojnë në promovimin e suksesshëm të komuniteteve të margjinalizuara etnike në Kosovë dhe më e rëndësishmja, ngjarja do të vendosë në qendër të vëmendjes dëshmitë autentike nga romët, ashkalitë dhe egjiptianët të cilët kanë prejardhje të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të botës”, bëhet e ditur nga organizatorët.

Qëllimi kryesor i Festivalit Multikulturor është thyerja e ciklit të përjashtimit të romëve, ashkalive dhe egjiptianëve, përmes promovimit të identitetit të tyre, fuqisë së tyre dhe vullnetit të fortë për të qenë të barabartë, si gjithë të tjerët.

“Romët, ashkalitë dhe egjiptianët janë pasuri e këtij vendi dhe kanë çka ti ofrojnë kësaj shoqërie” është potencuar me këtë rast, ku të njëjtit kanë shtuar se dy ditët e Festivalit do të organizohen në Parkun e Qytetit si në vijim:

Paradë plot ngjyra, si një nga pikat kryesore të ditës së dytë. Disa grupe të komuniteteve do të shfaqin me krenari trashëgiminë e tyre kulturore përmes veshjeve të tyre tradicionale;

Tregu i shitësve artizanal që shesin dhe promovojnë një gamë të gjerë të veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova;

Prezantimi i kuzhinës tradicionale;

Shfaqje kulturore 3-5 akte në ditë;

Tenda për të rinj dhe fëmijë për një mjedis miqësor ku familjet mund të përjetojnë art dhe muzikë nga kultura të ndryshme përmes shfaqjeve, aktiviteteve praktike, të krijuara posaçërisht për fëmijët dhe familjarët./ KultPlus.com

Të ngjajshme