Si festohen Krishtlindjet në disa vende të botës

24 Dhjetor, 2023 - 10:50 pm

Atmosferë magjike që vjen nga larg. Krishtlindjet që festohen në mënyra të ndryshme, e të cilat bëjnë që shumë familje të mblidhen bashkë e të gëzojnë për harmoni dhe ditë më të mira.

Festa e Krishtlindjeve ka pasur një histori të gjatë dhe të shumëllojshme. Prej shekujsh thuhet se është festuar në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra vërtet të ndryshme. Mesi i dimrit ka qenë prej vitesh një kohë për të festuar në të gjithë botën.

Në Filadelfia

Në Filadelfia fëmijët presin Babagjyshin në dritare së bashku me mamin dhe babin. Ndërkohë, të rriturit tregojnë historinë e Babagjyshit me detaje magjike, më pas hahet darka tipike e vigjiljeve. Por çfarë gatuajnë banorët e këtij vendi për këtë festë?

Proshutë krishtlindjesh (një lloj mishi i pjekur), i shoqëruar me patate, panxhar të kuq dhe sallatë. Për ëmbëlsirë konsumojnë kek të vegjël me kanellë, xhenxhefil dhe reçel kumbulle. Sapo përfundojnë së shijuari, të vegjlit flenë mbi jastëk të mëdhenjtë pranë dritareve dhe si me “magji”, në mëngjes, gjejnë pakot me dhurata poshtë pemës së Krishtlindjeve.

Në Poloni

Përgatitja e një darke speciale për vigjilje, është një traditë polake. Njerëzit atje gatuajnë dhe u shërbejnë miqve dhe të afërmve, plot dymbëdhjetë pjata të ndryshme (si 12 dishepujt). Menyja, zakonisht, përmban supë me panxhar, ravioli, kërpudha, makarona me mbushje, si dhe pjata me bazë peshkun harengë dhe krapin.

Për të mos u harruar, është edhe një pjatë e madhe e mbushur me “wafer” (ëmbëlsirat tradicionale të meshës): personat e pranishëm në tavolinë, hanë secili nga një prej tyre në nder të lindjes së Jezusit Fëmijë dhe pikërisht për të, rezervojnë edhe një vend bosh në tavolinë. Në Poloni, pema e Krishtlindjeve bëhet pikërisht mbrëmjen e 24 dhjetorit.

Në Austri

Në Austri, traditat e festimeve të Krishtlindjes fillojnë që më 5 dhjetor me “çorapët” e mbushura me ëmbëlsira dhe karamele. Por, sipas zonave dhe provincave, ekzistojnë shumë tradita, të cilat duhen respektuar dhe rituale që duhen ndjekur.

Për shembull, në Korintia, të gjithë së bashku përgatisin “Kletzenbrot” ( një lloj buke me dardha të thata) dhe sallam me lakër turshi (ushqim tipik austriak për të festuar Krishtlindjet). Në Salzburg, gatuhet “Bachlkoch”, një përzierje e qumështit me miellin, ndërsa më pas ndihet kudo rënia e një kambane magjike, e cila sinjalizon ardhjen e Krishtlindjeve.

Në Zvicër

Fëmijët zviceranë e zbukurojnë shtëpinë me gjësende të veçanta prej fijesh kashte dhe me lule të kuqe, blu dhe rozë. Por jo vetëm kaq; me rastin e Krishtlindjeve, atje përgatiten edhe biskota të veçanta të cilat vendosen në çdo dhomë pranë dritareve, për të “thirrur” Babagjyshin. Mbrëmjen e vigjiljes, për të ngrënë përdoret një supë speciale prej orizi me salsiçe dhe me qofte mishi.

Shumë i përzemërt në Zvicër është edhe festimi i Santa Luçias (më 13 dhjetor). Me këtë rast, vajza e madhe (ose mamaja, nëse shtëpia ka vetëm fëmijë meshkuj) vishet si Babagjyshi: me një mjekër të bardhë, me brez të kuq dhe një kurorë me drita të ndezura. E veshur në këtë mënyrë, “Santa Luçia”, sjell një qese të madhe të mbushur me ëmbëlsira për të gjithë familjen.

Në Meksikë

Në Meksikë, festa e Krishtlindjeve zhvillohet nëntë ditë para datës 25 dhjetor. Quhet “Las navidades” dhe festimet zhvendosen nëpër kishat kryesore të vendit. Gjatë këtyre ditëve, të cilat simbolizojnë shtatzëninë e Marias, në çdo shtëpi përgatiten dhuratat e mëdha të mbështjella me letër të kuqe. Disa prej tyre mbushen me frutat e stinës, fishekzjarrë dhe kallame sheqeri.

Në prag të përfundimit të nëntë ditëve, zhvillohet një shfaqje e shkurtër, e cila njihet si “Las posadas”. Një çift troket derë më derë me qirinj të ndezur, duke personifikuar Jozefin dhe Marian që kërkojnë një vend për të kaluar natën, ashtu siç ndodh para Lindjes së Krishtit. Në mesnatë, të gjithë së bashku këndojnë dhe hapin dhuratat me bastunë, më pas shtrihen në tokë në kërkim të frytit më të mirë. / KultPlus.com

Të ngjajshme