Si lindën Karnavalet e Brazilit që elektrizuan dje Vlorën

30 Qershor, 2024 - 4:15 pm

Karnavalet e Brazilit elektrizuan qytetin e Vlorës, mbrëmjen e djeshme.

Mbi dy duzina me artistë të ardhur nga Brazili si perkusionistë, balerinat e famshme të Sambas dhe kërcimtarë profesionistë, akrobatë e prestigjiatorë krijuan me energjinë e ritmin fantastik një atmosferë vërtet ekstravagante në rrugët e qytetit bregdetar.

Performancat nisën prej Kinemasë verore të Vlorës me balerinat dhe perkusionistët të cilët bashkë me balerinat e Qendrës Kulturore të qytetit e akrobatët e Cirkut shqiptar u shoqëruan edhe prej një numri të madh qytetarësh të apasionuar pas vespave.

Manifestimi kulturor i pari në vend, vazhdoi përgjatë Lungomares së Vlorës.

Capoeira, arti luftarak afro brazilian, kombinoi elementë të muzikës vallëzimit dhe akrobacisë .

“Fire dancers“ përdorën teknikat e tyre të veçanta, duke krijuar një shfaqje spektakolare me një kombinim të aftësive akrobatike dhe artit të manipulimi të zjarrit, duke emocionuar të vegjlit.

Mbrëmja vazhdoi me kërcimtaret e Sambas, e njohur në të gjithë botën si simboli i Brazilit, me rrënjë në kulturat afrikane, portugeze e e indigjene, e cila përfshiu spontanisht të gjithë vlonjatët prezent që së bashku me turistët vendas e të huaj, kërcyen nën ritmin e saj fantastik gjatë gjithë mbrëmjes .

Pak nga historiku i Karnavaleve të Brazilit

Origjina e karnavaleve të Brazilit është një përzierje komplekse dhe interesante e kulturave evropiane, afrikane dhe indigjene, që daton në periudhën koloniale.

Tradita e karnavaleve i ka rrënjët në festimet e Kreshmës në Evropë, veçanërisht në Portugali dhe Itali. Këto festa, që ndodhnin përpara fillimit të periudhës së Kreshmës së Pashkëve, ishin një kohë për gëzim, maskim dhe festa të mëdha.

Kur kolonizatorët portugezë arritën në Brazil në shekullin e 16-të, ata sollën me vete edhe traditat e tyre karnavaleske. Me ardhjen e skllevërve afrikanë në Brazil, elemente të kulturës dhe traditave afrikane filluan të integrohen në karnavalet braziliane. Këto përfshijnë ritme, muzikë dhe vallëzime afrikane, që i dhanë karnavaleve një karakter të veçantë dhe të ndryshëm.

Ritet dhe vallëzimet tradicionale afrikane, si Batuque dhe më vonë Samba, u integruan në festimet e karnavaleve, duke krijuar një atmosferë të re dhe energjike. Edhe kulturat indigjene të Brazilit kontribuan me elementët e tyre, duke përfshirë kostumet tradicionale, vallëzimet dhe ritualet.

Në shekullin e 19-të, Rio de Janeiro u bë qendra kryesore e karnavaleve në Brazil.

Shkollat e sambës filluan të formohen dhe paradat masive e spektakolare u bënë pjesë kryesore e festimeve, duke përfshirë elemente të kulturës afro-braziliane dhe muzikës si axé dhe frevo.

Karnavalet e Brazilit janë bërë një ngjarje ndërkombëtare që tërheqin miliona turistë nga e gjithë bota, duke kontribuar në ekonominë dhe kulturën e vendit.

Origjina e karnavaleve të Brazilit është një histori e pasur dhe shumëngjyrëshe, që reflekton diversitetin dhe bashkimin e kulturave të ndryshme që kanë ndikuar dhe formuar këtë traditë unike dhe të veçantë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme