“Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka edhe media!” 

30 Prill, 2024 - 1:18 pm

Jetona Koçibelli, autorja, moderatorja dhe gazetarja e Top Channel, në ditën e gazetarëve do të prezantojë një ekspozitë të quajtur “BACKSTAGE SHOW”, me temë ‘Liria e medias është themeli i demokracisë’.

Ekspozita, përmes artit do të trajtojë konceptin e lirisë në media në një shoqëri demokratike, ndikimi i epokës digjitale apo se si funksionon sistemi ynë, të gjitha këto duke i krahasuar me periudhën komuniste dhe ndryshimin që gazetaria ka pësuar.

“BACKSTAGES HOW”, e kuruar në Qendrën për Hapje dhe Dialog, do të jetë i hapur për publikun nga data 4 deri në 9 maj, në oraret 9:30-14:00 edhe 17:30-20:30, tek Biblioteka e Kryeministrisë.

Në përshkrimin e saj në një postim në Instagram, Koçibelli e quan lirinë e medias një postulat universal, që ka vlerë në botën demokratike, sepse sipas saj, sa më shumë demokraci të ketë një shoqëri, aq më shumë liri do ketë dhe media.

“Pra, edhe media, është produkt i shoqërisë! Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka dhe media! Nisur nga episodet e shumta dhe jo vetëm, dilema është kjo: a është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë? Në kronologjinë historike lind pyetja: A ishte demokratik apo çfarë sistemi kishte Shqipëria pas shembjes së regjimit komunist, kur filloi persekutimi e lincimi i gazetarëve të opozitar?”, shkruan kuratorja.

Kjo ekspozitë çel për publikun dilemën nëse: Liria është një nocion gjeneralist! “Sot kemi liri të shfrenuar falë epokës digjitale, ku kemi zëvendësuar paradoksalisht parrullën komuniste  “Gjithë populli ushtar” me parrullën demokratike ‘Gjithë populli gazetar’”, thotë Koçibelli

Të ngjajshme