Sibel Halimi: Dita e vetëdijesimit kundër dhunës nisi me mëngjes të trishtë

25 Nëntor, 2022 - 11:25 am

Nga sot fillon “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore”, fushata ndërkombëtare vjetore që fillon më 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe zgjat deri më 10 Dhjetor.

Gjatë këtyre ditëve, në çdo cep të botës bëhet thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, por në Prishtinë sot ndodhë e kundërta. Pikërisht në këtë ditë ka ndodhur një rast i rëndë ku një grua është privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj.

Për këtë rast ka reaguar edhe sociologia Sibel Halimi e cila është shprehur që kjo ditë do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për shoqërinë për të arritur barazi gjinore, por në fakt sot në Prishtinë ka ndodhur e kundërta.

Ky është reagimi i plotë i Halimit:

Dita e vetëdijesimit kundër dhunës ndaj grave nisi me mëngjes të trishtë

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila do të duhej të shërbejë si një përkujtues i radhës për atë se edhe sa shumë duhet të bëjmë si shoqëri për të arritur barazinë gjinore; pikërisht sot, në Prishtinë, vritet një grua në familjen e saj.

Në një vend ku gratë dhe vajzat shihen si objekte, në shërbim, të disiplinuara dhe të kontrolluara nga burrat; në një kohë kur rastet e dhunës, dhunimit dhe privimit nga jeta të grave, janë bërë rëndomtësi e përditshmëri, nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur gjysma e popullatës shtypet dhe diskriminohet. Të gjithë duhet të vetëdijesohemi për rëndësinë e gjuhës që shprehim, për qëndrimet tona karshi grave dhe vajzave, ngase pa eliminimin e patriarkalizimit të përbrendësuar nuk mund t’i ndryshojmë veprimet! / KultPlus.com

Të ngjajshme