“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

15 Shtator, 2020 - 12:10 pm

Ka vdekur sot aktori dhe regjisori i shquar, Adem Mikullovci. Mosha 82 vjeçare mbylli “perdet” për Mikullovcin por jo për veprën e tij, shkruan KultPlus.

Përveç nga familjarët, miqtë e kolegët, Mikullovci po kujtohet sot edhe nga politikanët kolegë. Kujtojmë që Adem Mikullovci ishte prezent edhe në skenën politike, duke qenë deputeti më i vjetër para dy vitesh në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Lumir Abdixhiku e ka kujtuar momentin kur Mikullovci kishte hapur seancën konstituive në gusht të 2017-ës me një thënie të Azem Shkrelit: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Kjo padyshim i kishte lënë mbresë deputetit të ri në atë kohë, duke e konsideruar si një thënie të thellë. Ai tutje ka shkruar se Mikullovci ishte deputeti më i dashur që ka pasur Kuvendi i Kosovës ndonjëherë.

Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Me këto rreshta të Shkrelit, Adem Mikullovci si më i moshuari në Kuvend, kishte hapur seancën konstituive në gusht të 2017-ës; kur për herë të parë bëhesha deputet. Vështirë të gjeje diçka më të thellë, u thash kolegëve përreth.

Adem Mikullovcin e kujtoj si njërin nga deputetët më të dashur që ka patur Kuvendi i Kosovës ndonjëherë. Përveç se ishte i afërt, e i dashur, e i drejtë – ishte “jack”. Vinte në zyrën time prej deputeti shpesh. Me të mund të flisje për art, për letërsi, për shkencë e muzikë, për shah, për shah shumë – ishte enciklopedi.

Perdja e Adem Mikullovcit ra. Por dilemën e takimit me veten e ka të zgjidhur lehtë. Sot humbëm një aktor, intelektual e politikan të rrallë. Ngushëllime familjes e bashkëpunëtorëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme