2 Korrik, 2019 - 3:25 pm
Balerini Sinan Kajtazi para pak dite është emëruar drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Këshilli Drejtues i BKK-së i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të insitutcionit përkatës ka përmbyll konkursin duke e zgjedhur drejtor Kajtazin, si një nga konkurruesit më të suksesshem dhe më kompetent për të qenë në krye të Baletit të Kosovës, shkruan KultPlus.
Por tashmë gjërat kanë ndryshuar. Kajtazi sapo ka njoftuar se Agjensia Kundër Korrupsionit i ka kumtuar së sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita e Kajtazit si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 ai ka qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk ka të drejtë të marrë këtë post.
Ky është postimi i plot i Kjatazit:
Të nderuar miq,
Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e Drejtorit të BKK, nga kjo agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si Drejtor i BKK do të përbënte “konflikt interesi”, meqë deri në Janar të 2019 kam qenë Kryetar i KD të BKK dhe në periudhë prej 2 vitesh pas largimit nga Këshilli Drejtues, nuk kam të drejtë të marrë këtë post.
Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga U.D i Drejtorit të BKK dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.
Vullneti dhe dëshira ime ka qenë që të jap kontributin tim në të mirë të Institucionit të BKK, duke gëzuar mbështetjen e të gjithë balerinëve të BKK dhe stafit tekniko-artistik në TKK, po ashtu edhe komunitetit të artistëve, mirëpo duke respektuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, më duhet të refuzoj nderin që më është bërë me emërimin si Drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK.
Unë do të vazhdoj të mos kursej më të mirën nga vetja si balerin, në shërbim të BKK.
Me respekt,
Sinan Kajtazi është një nga balerinet e suksesshëm i cili është pjesë e Baletit që nga vitet e pasluftës kur u riaktivizua dhe për disa vite ka qenë anëtar si dhe kryesues i Këshillit Drejtues të TKK-së ndërsa që nga fillimi i këtij viti është përzgjedhur edhe si ushtrues detyre i drejtorit i BKK-së.
Sipas ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin, Neni 46, pika 46.1. drejtori i Baletit zgjidhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli drejtues me propozim të Këshillit artistik.
“Për drejtor të Baletit zgjidhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse. Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat dhe në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Personi i njëjtë mund të rizgjidhet. Drejtorin e Baletit e zgjedh dhe e shkarkon Këshilli drejtues sipas procedurës së caktuar me ligj”, thuhet në nenin 46 të ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin. / KultPlus.com