3 Nëntor, 2021 - 1:00 pm
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar ndaj buxhetit për të cilin thonë se Qeveria e Kosovës e ka ndarë për RTK-në.
Sipas tyre, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022, Qeveria i ka hequr RTK-së 2.2 milionë euro.
Sipas tyre, në këtë situatë, RTK do të kolapsojë, duke shtuar se edhe ashtu RTK ka pasur buxhet të vogël.
“Citim nga projektbuxheti për vitin 2022 pjesa për RTK-në: 12. ‘Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë RTK), i ndahen tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,0000 €), në kategorinë e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Para secilit tremujor, RTK-ja do të dorëzojë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara. Në fund të çdo tremujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra. Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere”, thuhet në reagimin e tyre, duke cituar projektbuxhetin.
Sindikata u ka bërë thirrje drejtuesve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, që gjatë dëgjimit publik dhe shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2022 ta korrigjojnë pjesën për RTK-në dhe të kthehet buxheti në lartësinë e caktuar sipas ligjit aktual të RTK-së.
“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkurtimi i buxhetit të RTK-së është bllokim i punës së transmetuesit të vetëm publik në vend, duke pasur parasysh se këto ditë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha produkteve. Në shumë vende po ndodh ngritja e pagave, ndërsa neve si RTK, po na shkurtohet buxheti dhe po rrezikohet funksionimi. Po ashtu rrezikohet edhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre, andaj kërkojmë nga ju që ta ndryshoni propozimin e Qeverisë dhe ta ktheni buxhetin e RTK-së ashtu si ka qenë vitet e kaluara. Të nderuar, Sindikata do të organizojë takime me përfaqësuesit e Komisionit dhe deputetë, por nëse kërkesat tona nuk kanë efekt, ne do t’i përdorim rrugët ligjore e sindikale”, thuhet në reagim.