1 Prill, 2020 - 7:04 pm
Bleron Xhymshiti dhe Dushe Surdulli nga Gjilani kishin bërë plan të bënin një dasmë të madhe më 14 mars të këtij viti. Por, ndodhi e kundërta, ata organizuan një event të vogël vetëm me familjarë pasi që koronavirusi kushtëzoi planin më të veçantë të jetës së tyre.
Ahengu i tyre u organizua në kushte shtëpiake në Gjilan, e sipas dhëndrit Xhymshiti, ka shkuar për mrekulli. Megjithatë, nuk ishin ndjerë mirë për shkak të gjendjes alarmante që mbretëronte atë ditë në Kosovë. Ai tregon se nuk e kishin pritur që një gjë e tillë të ndodhte në prag të martesës së tyre.
„Datën e kemi caktuar shumë më herët. Nuk kemi qenë në dijeni për këto që do të ndodhnin“.
Sipas traditës shqiptare, nuk parashihet ndërrimi i datës apo shtyrja, kësisoj Bleroni dhe Dushja u martuan po atë datë që ishte caktuar më herët.
Gjithçka ishte e planifikuar, duke filluar nga restoranti e muzika, ku ishin të ftuar rreth 200 persona. Por, me një vendim unanim u ndërmor hapi për anulimin e ahengut të madh e u vendos kurorëzimi përmes një eventi të vogël vetëm me familjarë të ngushtë.
Sipas familjes, kjo ishte zgjidhja e duhur pasi që gjendja ishte serioze dhe duhej menduar për shëndetin e të gjithëve.
Pjesa e cila ka bërë bujë në publik janë fotot e çiftit të bëra me maska në një situatë të tillë globale./albinfo.ch