20 Tetor, 2023 - 6:33 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në Bikliotekën Kombëtare të Kosovës, u nderua veprimtaria e historianit dhe shkrimtarit britanik, Sir Noel Malcolm, i cili me shkrimet e tij dha një kontribut të pashlyeshëm për Kosovën dhe shqiptarët, shkruan KultPlus.
Në një mbrëmje, ku ishte i pranishëm edhe vetë Malcolm, u dha filmi dokumentar mbi veprimtarinë e pashoq të Sir Noël Malcolm.
Ky film dokumentar, skenarin dhe regjinë e të cilit e ka bërë Mal Berisha, ndërsa producent ekzekutiv është Dr. Ahmet Ulaj, zbulon ndikimin që ka pasur vepra e autorit për një të vërtetë të munguar për historinë e Kosovës dhe shqiptarët, si dhe për ndërgjegjësimin e diplomacisë botërore për Kosovën.
Pas shfaqjes së filmit dokumentar mbi veprimtarinë e tij dhe kontributin për popullin e Kosovës, fjalën e mori Noel Malcolm, i cili me shaka tha se nga komplimentet e shumta që mori, iu duk vetja sikur kishte ardhë në funeralin e tij.
“Faleminderit që keni ardhur këtu për të marrë pjesë në takimin e sotëm dhe veçanërisht ju falënderoj për për filmin dokumentar. Ishte një eksperiencë pak e çuditshme për mua që pashë këtë film. Turpohem pak kur dëgjoj komplimentet e tilla. Kisha përshtypje se kisha ardhur gabimisht në funeralin tim, sepse komplimentet e tilla janë të përshtatshme për një funeral. Por, jam shumë mirënjohës. Si ka u thënë në fillim, kur kam shkuar librin, e kam botuar një vit para luftës. Besoj dhe shpresoj se libri kishte pak influencë mbi politikën e Perëndimit në një periudhë të krizës”, u shpreh Malcolm, i cili nëvijim shtoi se megjithatë ai mbetet vetëm një historian, sepse në shkallën shkencore, mbrojtja më e mirë është e vërteta.
“Shpresoj se kam shkuar të vërtetën për Kosovën”, përfundoi Malcolm.
Në këtë ceremoni fjalën e mori edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili u shpreh se profili i Noel Malcolm është po aq mahnitës sa edhe vepra e tij e shkruar.
“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë mbrëmje, duke e dashur të ndajmë me ju një episod besoj shumë veçantë.Në mes të qershorit të vitit 1999 ku trupat e NATO-s hynë në Kosovë, mes mijëra fotografish që janë bërë në ato ditë të çlirimit në Kosovës, një ushtar norvegjez i KFOR-it, Kenet Andersen, e shkrepi një fotografi që mbase edhe nuk ka marrë shumë vëmendje,por të cilën e përmendi edhe Daut Dauti në këtë film. E kam fjalën për fotografinë në të cilën shihet një ushtar britanik, i ulur diku në Prishtinë, duke e lexuar librin “Kosova, një histori e shkurtë”, i shkruar nga Sir Noel Malcolm. Unë i kërkova stafit tim që ta shtypim dhe ta vendosim në një kornizë këtë fotografi për ta shikuar bashkërisht dhe për t’ia dhuruar zotit Malcolm, sepse pikëpamjen time kjo fotografi e ka fiksuar me një pamje leximin e historisë dhe bërjen e historisë njëkohësisht”, u shpreh ministri Kurti.
Më pas Kurti nuk la pa përmendur edhe ndikimin që pati libri ‘Kosova, një histori e shkurtër’, e Malcolm në pikëpamjen e publikut perëndimor.
“Vetëm pak ditë para se të bëhej këto fotografi, libri “Kosova, një histori e shkurtër” ishte ribotuar për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, pasi që fillimisht ishte botuar në vitin 1998 e autori Sir Noel Malcolm, që sonte e kemi kënaqësinë dhe nderin e jashtëzakonshëm ta mirëpresim në Kosovë e në Prishtinë e të jetë këtu mes nesh, e kishte menduar ta shkruante këtë libër për publikun perëndimor me idenë që të rrëfente dhe sqaronte duke shpjeguar e të shpjegonte duke dokumentuar dhe argumentonte për Kosovën e cila ndodhej në prag të luftës dhe vërtet ky libër ndihmoi shumë për orientimin e publikut perëndimor, shumë të akademikë apo politikë në raport me të vërtetët e historikeve për Kosovën.Aq më tepër që Kosova një histori e shkurtër u shtrua pas një hulumtimi intensiv nëpër burime arkivore e botime dokumentare në studimet e historiografisë shqiptare dhe historiografisë serbe, si dhe nëpër botime ballkanike”, u shpreh në vijim Kurti.
Fjalën e mori edhe Mal Berisha, autori i filmit dokumentar mbi jetën e Sir Noel Malcolm. Berisha u shpreh se e cilëson këtë mbrëmje si një prej netëve më emocionuese të jetës së tij.
“Nëse një njeriu si unë, i cili ka jetuar që në fëmijërinë e vet me dashurinë, brengën, shqetësimin, gëzimet dhe hidhërimet që i ka dhënë Kosova, të cilën e ka dashur pa kushte, do t’i ishte dhënë kjo mundësi që ju më dhatë mua sonë, atëherë unë do ta quaj atë njeri të bekuar. Është një punë e cila e ka zanafillën e vetë që nis në një fshat të Malësisë të Gjakovës, metropolin e vjetër ku kam lindur dhe ku jam bekuar me të gjithë dashurinë për Kosovën nga gjithë familja ime dhe rrethi im familjar. Jeta solli që aty nga viti 2012-2015 të kisha nderin të shërbeja si ambasador i Republikës së Shqipërisë Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë asaj periudhe pata rastin të takoj shumë njerëz të shquar të atij vendi, por ai që ishte më i shquarit për mua dhe mendoj edhe për Kosovën ishte pikërisht Sir Noël Malkon”, u shpreh fillimisht Berisha.
Ai më pas foli edhe për atë që e bëri të realizojë këtë dokumentar.
“I bindur për vlerën e jashtëzakonshme të veprës së Ser Mal Malkolmit për një shqiptar mendova dhe besova se një film dokumentar për jetën dhe veprën e tij, i rrëfyer nga figurat më të shquar britanike akademike shqiptare, shqiptaro-britanike ose britaniko-shqiptare, ishte një detyrim dhe shprehje e mirënjohjes së thellë ndaj veprës së tij. Duke menduar edhe si ambasador, tash më në pension, thashë me vete se një dokument dokumentar i tillë do të shëbente edhe forcimit të marrëdhënieve të Kombit tonë me Mbretërinë e Bashkuar”, tha Berisha, i cili në vijim falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij dokumentari.
Ndërkaq, kjo ceremoni u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./KultPlus.com